Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka pranuar, përmes një deklarate zyrtare të datës 13 maj 2026, se dy objekte të projektit “Durrës Marina” në Portin e Durrës kanë pësuar ulje në strukturë gjatë fazës së ndërtimit.
Sipas raportit topografik të Institutit të Ndërtimit, Objekti 02 ka shfaqur një ulje prej 28 cm, ndërsa Objekti 04 një ulje prej 18 cm. Në verifikim kanë marrë pjesë inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të AZHT-së, IMT-së së Bashkisë Durrës dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit.
Autoritetet kanë kërkuar nga kompania zbatuese e projektit marrjen e menjëhershme të masave për përforcim strukturor, si dhe miratimin paraprak të çdo ndërhyrjeje nga institucionet përkatëse.
Projekti “Durrës Marina”, i njohur si një investim i madh zhvillimor në portin e Durrësit, vijon të jetë në fazë ndërtimi, ndërsa janë ngritur shqetësime për stabilitetin e disa prej godinave të para dhe për standardet e ndërtimit në terrenin pranë detit.
Sipas të dhënave të publikuara, deri tani janë përfunduar vetëm një numër i kufizuar godinash, ndërsa pjesa tjetër e projektit mbetet në zhvillim. Autoritetet kanë theksuar se do të vijojnë mbikëqyrjen dhe kërkojnë zbatimin e masave teknike për garantimin e sigurisë së strukturave.
Në këtë fazë, mbetet e hapur çështja e përgjegjësisë institucionale dhe teknike për problematikat e raportuara.
Denoncimi u bë vetëm pak ditë më parë në emisionin investigativ Piranjat ku tregohej për probleme më të thella në kantier, duke përfshirë zhytje që, sipas burimeve dhe matjeve të raportuara me dron, mund të variojnë nga 70 cm deri në rreth 1 metër në disa struktura.







