Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj një raportimi të Top Channel, duke mohuar se ka pasur ndonjë telefonatë me Taulant Balla lidhur me rezolutën për integrimin europian.
Në një deklaratë publike, Bardhi e cilësoi lajmin si “dezinformim” dhe sulmoi drejtpërdrejt televizionin, të cilin e akuzoi si “TV të Ramës, Belindës, Gysit dhe Lindave të AKSHIT”.
“Nuk ka pasur asnjë telefonatë mes meje dhe Taulant Ballës për rezolutën e integrimit europian, siç dezinformon Top Channel. Taulant Balla nuk guxon të më marrë në telefon paradite, jo më të guxojë të më marrë në telefon në mesnatë”, deklaroi Bardhi.
Ai theksoi se mbështetja e opozitës për integrimin europian është publike dhe institucionale, duke shtuar se nuk ka nevojë për “telefonata sekrete” apo “propagandë televizive”.
Sipas Bardhit, mazhoranca ka pranuar rreth 90% të amendamenteve të opozitës në rezolutë, por ai akuzoi qeverinë se po vonon integrimin europian për shkak të mbrojtjes së korrupsionit qeveritar dhe refuzimit të standardeve të Bashkimit Europian.
Në reagimin e tij, Bardhi sulmoi edhe rolin e Top Channel në raportimin e aferave të dyshuara korruptive, duke përmendur emrat e Belinda Balluku dhe Ergys Agasi.
“Top Channel është kthyer prej kohësh në mburojë mediatike të qeverisë dhe të aferave të saj korruptive”, u shpreh ai.
Pavarësisht kritikave ndaj mediave dhe qeverisë, Bardhi deklaroi se PD do të vijojë të mbështesë integrimin europian të Shqipërisë, por “nuk do të heshtë përballë korrupsionit që po e mban vendin peng”.







