Shqipëria është zyrtarisht pjesë e NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence (CCDCOE), qendra e ekselencës së NATO-s për mbrojtjen kibernetike, me seli në Tallinn, Estoni.
Anëtarësimi i Shqipërisë u zyrtarizua gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit në selinë e CCDCOE, ku vendi ynë iu bashkua qendrës së bashku me Finlandën dhe Suedinë, duke e çuar në 39 numrin e vendeve anëtare dhe partnere të këtij rrjeti ndërkombëtar të ekspertizës në mbrojtjen kibernetike.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm për Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, si dhe në thellimin e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë të NATO-s në përballjen me kërcënimet dhe sfidat në hapësirën kibernetike.
Pjesëmarrja në CCDCOE i krijon Shqipërisë mundësi për shkëmbim ekspertize, përfshirje në kërkime dhe analiza strategjike, pjesëmarrje në trajnime dhe stërvitje ndërkombëtare, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me ekspertë dhe institucione të specializuara nga vendet aleate dhe partnere.
E themeluar në vitin 2008 dhe e akredituar nga NATO, CCDCOE është një nga qendrat më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes kibernetike, e fokusuar në kërkimin shkencor, analizën strategjike, trajnimet profesionale dhe zhvillimin e praktikave më të mira për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike. Qendra organizon gjithashtu Locked Shields, stërvitjen më të madhe dhe më komplekse në botë në fushën e mbrojtjes kibernetike.
Ky anëtarësim forcon më tej pozicionin e Shqipërisë në ekosistemin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike dhe rrit bashkëpunimin me strukturat dhe ekspertët kryesorë të NATO-s në këtë fushë.







