Ballina Politika Analiza e diplomatit amerikan për Shqipërinë: Dosja “Balluku”, mundësia e BE-së për...

Analiza e diplomatit amerikan për Shqipërinë: Dosja “Balluku”, mundësia e BE-së për presion ndaj Qeverisë

49
0

Diplomati amerikan David J. Kostelancik, i nominuar më herët nga ish-presidenti amerikan Joe Biden për postin e ambasadorit në Shqipëri, por që nuk u konfirmua nga Kongresi, së bashku me Andrew Raynus, kanë analizuar korrupsionin si një nga sfidat kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Në analizë theksohet se lufta ndaj korrupsionit mbetet një kusht thelbësor në rrugën e vendit drejt Bashkimin Europian, ndërsa procesi i zgjerimit shihet si një mundësi për Brukselin që të ushtrojë presion më të madh për reforma konkrete.

Në analize përmendet edhe rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë është përballur me akuza për korrupsion. Sipas analizës, ajo dyshohet se ka favorizuar një kompani në një tender për ndërtimin e një tuneli në jug të vendit, ndërsa hetimet pretendojnë se mund të ketë pasur edhe raste të tjera të ngjashme.

Në të njëjtën analizë përmendet edhe situata politike në vend, ku opozita e drejtuar nga Sali Berisha ka rritur protestat si në Kuvend ashtu edhe në rrugë, duke theksuar tensionet e vazhdueshme politike, të cilat megjithatë nuk pritet të ndryshojnë ekuilibrin aktual parlamentar.

Autorët argumentojnë se Bashkimi Europian duhet të përdorë më fort perspektivën e anëtarësimit si instrument presioni për të nxitur reforma reale në drejtësi dhe administratë, duke synuar forcimin e institucioneve dhe rritjen e besimit të publikut. Sipas tyre, nëse Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030, nevojiten ndryshime të thella strukturore, të mbështetura nga një angazhim më i drejtpërdrejtë i Brukselit.

Sipas tyre, dështimi i klasës politike shqiptare për të adresuar korrupsionin e gjerë bën që Europa të shihet si shpresa më e madhe për ndryshim.

Parlamenti Europian ka bërë thirrje të përsëritura që Shqipëria të thellojë dhe zbatojë masat kundër korrupsionit, por nuk ka përcaktuar hapa konkretë të detyrueshëm dhe as nuk ka garantuar afate të qarta për anëtarësim. Këto masa mund të gjallërojnë shoqërinë dhe të nxisin reforma më të thella. Duke u angazhuar më aktivisht me qeverinë dhe qytetarët shqiptarë, BE-ja mund të shfrytëzojë mbështetjen pothuajse unanime për integrimin europian për të ndërtuar një sistem që parandalon korrupsionin, rrit besimin publik dhe shmang regresin e mëtejshëm. Nëse qeveria  synon të përmbushë premtimin për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, ndryshime të rëndësishme do të jenë të domosdoshme.