Kryeministri hungarez Peter Magyar ka sulmuar drejpëdrejtë pronarin e grupit 4iG, Gellert Jaszai, duke e quajtur oligark. Deklarata është pas mbledhjes së parë të qeverisë së re hungareze, ku u zbulua se vetëm një muaj para zgjedhjeve ish qeveria e Orban i ka dhënë një kontratë sekrete prej 3.6 miliardë eurosh grupit 4iG, që është kompania mëmë e One Albania.
“Zotërinjtë dhe zonjat oligarkë duhet ta konsiderojnë këtë marrëveshje sikur të mos ekzistonte. Sepse vendi sigurisht që nuk ka nevojë për të në këtë formë,” u shpreh Magyar pas mbledhjes së parë, në të cilën u bë dhe dorëzimi ceremonial i pushtetit.
Menjëherë pas këtyre deklaratave aksionet e kompanisë 4iG në bursë shënuan një rënie përëluese prej 16 për qindësh. Çmimi i një aksioni të 4IG ishte 1990 forinta të enjten, por të premten në mëngjes ra në 1,670 forinta, një rënie prej 16 përqind. Në orët e vona të paradites aksionet e kompanisë rekuperuan disi dhe pasdite e mbyllën tregtimin me 1720 forinta për aksion.
Péter Magyar deklaroi gjatë dorëzimit të pushtetit midis qeverisë në largim dhe asaj të sapoformuar se marrëveshja midis qeverisë së mëparshme Orbán dhe kompanisë së teknologjisë hapësinore 4iG me vlerë 3.6 miliardë euro duhet të “konsiderohet si joekzistente”.
Ai njoftoi gjithashtu se qeveria kishte refuzuar pagesën e faturës së parë për këtë kontratë dhe do të ndërmarrë një hetim të hollësishëm të saj. Aksionet e 4IG kanë humbur më shumë se 63 për qind të vlerës në gjashtë muajt e fundit, duke përbërë një nga rëniet më të mëdha të vlerës së një kompanie jo vetëm në bursën hungareze por shumë më gjerë.
E konsideruar gjerësisht në Hungari si një kompani vasale e ish kryeministrit Orban, e ardhmja e 4iG është tronditur thellësisht pas zgjedhjeve të reja, që sollën në pushtet kryeministin Magyar. Ky e fundit e ka vënë kompaninë nën shënjestër dhe para zgjedhjeve shiti dhe aksionet që zotëronte tek kjo kompani në shenjë demonstrative.







