Këngëtarja bullgare Dara, emri i vërtetë i së cilës është Darina Yotova, është bërë artistja e parë nga Bulgaria që fiton Eurovision Song Contest 2026, falë performancës së saj me këngën “Bangaranga”. 27-vjeçarja triumfoi në finalen e madhe duke fituar zemrat e publikut europian me energjinë shpërthyese në skenë, vokalin dhe performancën dinamike koreografike, duke i dhënë Bullgarisë një fitore historike në Eurovision.Para finales, Dara kishte deklaruar për televizionin publik bullgar se nuk e priste triumfin.
“Unë nuk pres asgjë. Dhe kur dhuratat më vijnë, thjesht i përqafoj. Jam shumë mirënjohëse,” ishte shprehur ajo pas gjysmëfinales. Performanca e saj me “Bangaranga” u kthye në një nga më të komentuara të edicionit, duke tërhequr vëmendjen e publikut në të gjithë Europën.
Sipas vetë artistes, “Bangaranga” simbolizon momentin kur njeriu zgjedh dashurinë në vend të frikës dhe përfaqëson forcën e brendshme për të përballuar ankthin, dyshimet dhe kaosin emocional. “Bangaranga nuk është diçka që bëhesh. Është diçka që zgjohet brenda teje,” ka shpjeguar Dara.
Dara ka lindur në qytetin bregdetar Varna dhe ka studiuar në Shkollën Kombëtare të Arteve. Ajo nisi të këndonte muzikë tradicionale bullgare që në moshën shtatëvjeçare, përpara se të kalonte në muzikën pop moderne.
Karriera e saj mori hov pas pjesëmarrjes në X Factor Bulgaria në vitin 2015, ndërsa kënga e saj debutuese “K’vo ne chu” në vitin 2016 e ngjiti menjëherë në klasifikimet muzikore. Gjatë viteve, Dara ka fituar disa çmime muzikore, ka zhvilluar koncerte dhe ka grumbulluar miliona klikime në platformat muzikore.
Në vitin 2018 ajo u shpall “Artistja më e mirë femër” në BG Radio Music Awards, ndërsa në vitin 2021 u bë trajnerja më e re në The Voice of Bulgaria. Një vit më parë, artistja hapi koncertin e Robbie Williams në Sofia, duke konfirmuar statusin e saj si një nga yjet më të mëdhenj të muzikës bullgare.







