Ballina Ekonomia Pastrimi i parave, si po i ndikon çmimet e pasurive të paluajtshme...

Pastrimi i parave, si po i ndikon çmimet e pasurive të paluajtshme “kapitali në hije”

62
0

Thuajse një dekadë më parë kur vrulli i ndërtimit, ecuria e kreditimit dhe kërkesa e oferta për pasuri të paluajtshme nuk po reflektonin një lidhje logjike të bazuar në shifra, burimet e tregut nisën të flisnin për ndikimin e parasë informale në ekonomi.

Zyrtarisht qeveria kurrë nuk e pranoi këtë duke e lënë si një hipotezë të pabazë.

Por ndërsa hendeku mes shifrave u zgjerua çdo vit dhe arriti pikën ku lulëzimi ekonomik nuk e shpjegonte më, duket se peshorja nisi të anonte drejt asaj që pastrimi i parave në ndërtim nuk ishte thjesht një hipotezë.

Raporti mbi Shqipërinë që analizonte profilin e Vendeve mbi Zhvillimin Urban Strehimin dhe Menaxhimin e Tokës, i vitit 2024, i zhvilluar nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën nxjerr në pah një sërë faktorësh që ndikojnë në përballueshmërinë e strehimit në Tiranë duke nënvizuar se pastrimi i parave ka qenë një faktor kontribuues.

“Pastrimi i parave ka qenë një tjetër faktor kontribuues për rritjen e çmimeve të strehimit në Tiranë si dhe në zonat bregdetare të Shqipërisë. I kombinuar me të ardhura të ulëta të disponueshme për familjet mesatare ka bërë që blerja e një banese të re në zona preferenciale të jetë e papërballueshme për shumicën.

Kjo ka çuar në nivele të larta mbipopullimi veçanërisht tek grupet me të ardhura të ulëta. Tirana është një nga shtatë qytetet kryesore evropiane me nivelet më të larta të pamundësisë për papërballueshmërinë në strehim” thuhet në raport. Ky dokument ka mbetur pa asnjë nismë të qeverisë për të ndryshuar situatën.

Doris Andoni, konsulente e pavarur dhe eksperte mbi çështjet e strehimit thekson se “problemi i çmimeve dhe i qirave është shumë më kompleks dhe nuk është efekt i thjeshtë i kërkesë-ofertës

Roli i parasë informale në financimin e sektorit rezidencial është një hipotezë serioze që qarkullon prej kohësh në rrethet profesionale dhe akademike dhe mungesa e të dhënave publike për ta konfirmuar ose hedhur poshtë nuk e dobëson por përkundrazi e forcon shqetësimin.

Një treg ku origjina e kapitalit mbetet e paqartë është një treg i padiagnostikueshëm dhe i pareformueshëm”.

Për me tepër edhe raportet e Agjencisë së Inteligjencës Financiare ndër vite kanë përfshirë pasuritë e paluajtshme në tipologjitë e rrezikut të pastrimit të parave.

Vetëm në vitin 2024 tre raste të veçanta përmenden në këtë kontekst.

Një rast ishte “investime në pasuri të paluajtshme nga persona me veprimtari kriminale”, një i dytë “investime në pasuri të paluajtshme nga ish-funksionar i drejtësisë” dhe tipologjia e tretë “investim fshehje tjetërsim të pasurive nga një ish-funksionar i lartë”.

Në një dokument të fundit për konsultim “Strategjia Kombëtare për Krimin e Organizuar 2026–2030” qeveria pranon se “transaksionet e paligjshme financiare dhe krimet financiare që lidhen me to janë ndikuar nga përshpejtimi i teknologjisë dhe globalizimi”.

Ndër rreziqet e identifikuara të pastrimit të parave në Shqipëri dokumenti citon “pastrimi i të ardhurave nga korrupsioni përmes përdorimit herë pas here të palëve të treta individë dhe persona juridik që shërbejnë për të kamufluar mekanizmin integrimi i mëvonshëm në instrumente financiare pasuri të paluajtshme brenda vendit apo biznese”.

Aktorët e tregut pohojnë se shumë apartamente në Tiranë po blihen nga persona që nuk kanë në plan të banojnë, por i përdorin ato për të ashtuquajturin “parkim parash”, një praktikë e njohur edhe në tregjet ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme.

Në shumë vende, investimi në apartamente konsiderohet një mënyrë për të ruajtur vlerën e kapitalit, sidomos në periudha pasigurie ekonomike apo në ekonomi me nivel të lartë informaliteti. Në këto raste, prona nuk blihet për përdorim apo për të gjeneruar të ardhura nga qiraja, por thjesht si një aset ku kapitali “parkohet” dhe ruhet nga zhvlerësimi.

Ky fenomen është parë prej vitesh në qytete si Londra, Dubai apo Vancouver, ku hyrja e kapitalit spekulativ dhe e investitorëve jo-rezidentë ka ndikuar në rritjen e fortë të çmimeve dhe në uljen e përballueshmërisë për banorët vendas.

Një logjikë e ngjashme po vihet re gradualisht edhe në Tiranë, ku një pjesë e apartamenteve të reja qëndrojnë bosh për periudha të gjata, ndërsa çmimet vijojnë të rriten pavarësisht nivelit relativisht të ulët të të ardhurave në vend.

Në kahun tjetër, teksa paraja informale hyn dhe në ndërtim, ndërtuesit (parkues të parave) nuk kanë shumë interes t’i shesin shpejt apartamentet dhe ky është një tjetër faktor që i mban çmimet lart./Monitor