Ballina Kulturë Maestro Bellucci rikthehet në skenën e zbehtë me shkëlqimin e ngjyrave muzikore

Maestro Bellucci rikthehet në skenën e zbehtë me shkëlqimin e ngjyrave muzikore

28
0

Maratonë koncertale ka qenë edicioni i sivjetmë i Festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest”. Si tërësi ka qenë mozaik i kryeveprave botërore e atyre shqiptare. Yje të skenës botërore janë bërë bashkë në edicionin e 14-të nga 9 maj deri më 9 qershor. I tillë ka qenë pianisti Giovanni Bellucci, i cili vlerësohet një nga dhjetë pianistët më të mirë në botë. Prania e tij ishte kulmi i thirrjes për infrastrukturë të artit. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vazhduar refrenin e përvitshëm të premtimeve. Kësaj here ka thënë se festivali do të mund ta shfaqë edicionin e dy vjetëve më pas në sallë dinjitoze.

Koncerti përmbyllës me maestron Bellucci ka qenë piku i festivalit për sivjet. Ka qenë njëri midis alamet artistësh që kanë shkelur dyshemenë e sallës jo veç modeste, por edhe pa pikë kushtesh. Festivalit i ka lënë shije e jehonë deri në tjetrin edicion. Me të ka rënë perdja e “Chopin Piano Fest”.
Veprat sfiduese i ka menaxhuar lehtë. Nuk do diskutim muzikaliteti e virtuoziteti i pianistit laureat të Konkursit Botëror “Masters Piano” në Monte Carlo. Është veç një nga sukseset e Belluccit në karrierën e tij si pianist. Nga vendi i tij si një prej kryeqendrave të burimit të muzikës klasike, në Prishtinë e treta herë në festival e ka gjetur pa pikë progresi në kushte. Veçse janë përkeqësuar.

“Kjo është hera e tretë që kam ardhur, por secilën herë ka qenë ndryshe. Sonte kam parë fytyra të reja në sallë, programi ka qenë ndryshe. Gjithashtu është ndryshe, pasi herët e kaluara këtu ishte më freskët, ndërsa sot është krejt e kundërta në sallë, janë kushte të tjera”, ka thënë pianisti Bellucci për KOHËN.

Flitet për një sallë të atillë së cilës madje nuk i funksionojnë as kondicionerët. Pianisti ka dalë nga skena e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare që pas veprës së parë. Është kthyer në të dytën pa sakon që e kishte të veshur. Në pjesën e dytë të koncertit i është dashur të ndërrojë këmishën.
Përfundimin e secilës pjesë, më shumë se për ta projektuar veprën, e shfrytëzonte për të fshirë fytyrën e kapluar nga djersët. Dyert e hapura të sallës kanë bërë të interferojë me raste në lojën e pianistit virtuoz që ka shkelur skenat më prestigjioze të botës. Kjo është veç një pjesë e imazhit të koncertit të së dielës.

Pianisti Bellucci ka qenë në edicionin e nëntë të “Chopin Piano Fest” më 2018 ku kishte interpretuar me Filharmoninë e Kosovës si dhe vitin tjetër me koncert recital.

Koncertin e ka hapur me “Fantasia e Fuga sul nome B-A-C-H” dhe “Leggenda n.2: San Francesco di Paola che cammina sulle onde” nga Franz Liszt të cilat kanë qenë vepra shumë serioze e virtuoze. Të tilla kanë qenë të gjitha veprat e repertorit të zgjedhur nga Bellucci në përgjithësi.

E ka nderuar figurën e kompozitorit italian Busoni me një vepër të tij në shënim të 100-vjetorit të vdekjes së tij. “Elegia n.4: Turandots Frauengemach (Il gineceo di Turandot)” ka qenë një lloj homazhi.
Programin e ka vazhduar me “Après une lecture de Dante: Fantasia quasi Sonata. Dal ciclo Années de pèlerinage, Deuxième année, Italie” të Liszt. Në përgjithësi veprat e Liszt që i ka interpretuar në Prishtinë kanë qenë jashtëzakonisht të vështira teknikisht dhe me cilësi shprehëse. Thellësia emocionale ka qenë figura kryesore në këto vepra.

Të tilla kanë qenë edhe “Le mal du pays. Dal ciclo Années de pèlerinage – Première année – Suisse” dhe “Rapsodia Ungherese n.12, in cis-mol”.

Po aq emocionale dhe tensionuese në të njëjtën kohë kanë qenë edhe veprat e Chopin. “Ballata n.1 in g-mol op.23” ka ardhur si një rrëfim poetik ndërsa shumë i shpeshtë është ai që ngjan në një shkrim të ndërlikuar pianistik.

“Polacca in la bemolle maggiore op.53 ‘Eroica’” ka qenë elegante ndërsa është interpretuar edhe “Tristano e Isotta: Scena finale” e kompozitorit gjerman Richard Wagner.

Bellucci ka thënë se me patjetër do të luante vepra nga Chopin në festivalin që mban emrin e kompozitorit. E ka konsideruar interesant programin në të cilin janë përfshirë Chopin e Liszt si dy karaktere të kundërta për nga ana e kompozimeve të tyre.

“Janë pianistë të mëdhenj të historisë muzikore. Chopin e admironte atë, ishin miq të afërt por pas disa ngjarjeve ata u shkëputën. Ndoshta sepse Liszt ishte personalitet shumë më ndryshe dhe Chopin ishte shumë më i ndjeshëm, por edhe karakter më i hapur. Muzika e tyre është krejt ndryshe, ndonëse eksplorojnë virtuozitet në piano. Ishte shumë interesante për mua t’i bëjë bashkë të dy në program”, ka thënë Bellucci derisa ka thënë se veprat e dy kompozitorëve flasin edhe për dhimbjen e largimit nga vendi.

“Ishte shumë e rëndësishme të lidh ndjenjat e mungesës së vendit. Kam vendosur pjesë të autorëve që kanë jetuar jashtë vendit si ajo e Liszt – ‘Le mal du pays’ që është një lloj depresioni për shkak të largësisë nga shtëpia. Liszt dhe Chopin kanë vuajtur nga kjo ndjenjë”, ka thënë pianisti, cili konsiderohet një nga pianistët më me ndikim të kohës sonë.

Ai ka performuar si solist me orkestra si Filarmonia e Los Angelesit, Simfonia e Dallasit, Simfonia e Sydneit, Orkestra  e BBC-së, Filarmonia e Monte-Karlos, Simfonia Accademia Nazionale di S. Cecilia, Orkestra Simfonike Kombëtare RAI, Orkestra Kombëtare Belge, Filarmonia Mbretërore Anvers, Simfonia e Singaporit dhe jo vetëm.

Giovanni Bellucci është ftuar të luajë në disa nga auditorët më të famshëm, teatrot tradicionale dhe në disa nga festivalet më të mëdha të muzikës botërore. Ndër to janë: “Hollywood Bowl” ku pati debutimin e tij amerikan para një publiku prej 18 mijë vetash, “Washington Performing Arts Society” në Neëport, “Yokohama” në Singapor, “Sydney Opera House”, “Teatro alla Scala” në Milano, “Teatro Carlo Felice” në Gjenova, “Teatro Bellini” në Catania, Opera e Romës dhe në të gjitha sallat e koncerteve parisienë.

Sipas tij, “virtuoziteti është mënyrë për të sjellë ndjenja të reja, programi ka qenë i vështirë për t’u interpretuar. Por muzika është në qendër dhe duhet të eksplorohet shpirti i këtyre personaliteteve të shquara”.

Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, ka thënë se madhështor ka qenë nata përmbyllëse e festivalit duke sjellë virtuozitetin e skenave botërore.

“Ishte një koncert me vepra të vështira teknikisht, muzikalisht, me një imazh krejtësisht të veçantë tingullor që e ka sjellë. Është shumë i veçantë në interpretim të veprave të Liszt, Chopin, Wagner, të romantizmit. Është mjeshtër stilistik i këtyre veprave. Kishim edhe një vepër të italianit Busoni i cili sivjet shënon njëqind vjetorin e vdekjes”, ka thënë Pula, profesoreshë e pianos.

Për festivalin ka thënë se ka qenë mision që i ka shërbyer diplomacisë kulturore, duke sjellë figura të njohura të skenës muzikore si nga Tajlanda, Sllovakia, Rumania e Rusia.

Organizatorja e festivalit, profesoresha Besa Luzha, ka thënë se edhe një tjetër edicion u zhvillua nën kushte të improvizuara.

“Me keqardhje, me kushte jo të duhura po e përmbyllim edhe këtë edicion me kushte të improvizuara. Për fat të keq qe një javë janë prishur kondicionerët e ajrit dhe me gjithë përpjekjet e stafit ka qenë e pamundur të rregullohet të paktën edhe në tri javët e ardhshme”, ka thënë Luzha.

Një çmim ia ka ndarë kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, siç ka thënë ajo, për t’i kujtuar dhe përshpejtuar punën me sallë koncertale. Kurse përgjigja e Ramës ka qenë se “ka mjaft hapësira në Prishtinë për të shfaqur kreativitetin”.

“E di që më kanë ftuar në këtë mbrëmje të mbylljes për të ma lënë fajin për këtë. Unë e kam cekur edhe vitin e kaluar se ne po punojmë me hapa të mëdhenj e të shpejtë, me gjithë çfarë kemi në dorë që ta transformuar ndërtesën e ‘Gërmisë’ në muze të artit dhe në sallë koncertale. Vetëm se kemi filluar ta transformojnë”, ka thënë Rama.

Festivalin e ka quajtur simfoni me muzikantë virtuozë.

“Sot ndodhem këtu jo vetëm si zyrtar, por si bashkëqytetar i mahnitur nga magjia që krijohet këtu nga shpirtrat artistikë të qytetit, por edhe ata që vijnë nga vende të ndryshme. Ky festival ka qenë dhe mbetet si simfoni e madhështisë me muzicientë virtuozë me famë botërore”, ka thënë ai.

Në natën e fundit të festivalit është ndarë edhe çmimi për pianisten më të mirë të re. Eleonida Elezaj është shpallur fituese e garës së muzikantëve të rinj.