Ballina Kulturë Dokumentet e princave shqiptarë në Moldavi “vijnë” në DPA

Dokumentet e princave shqiptarë në Moldavi “vijnë” në DPA

21
0

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Kombëtare të Arkivave të Moldavisë. Përmes kësaj marrëveshjeje, sigurohet shkëmbimi i dokumenteve, dijeve dhe përvojave mes dy arkivave.

Në fjalën e tij për mediat, drejtori i përgjithshëm i DPA, Bido u shpreh se përmes këtij akti synohet zhvillimi i arkivave bashkëpunëtore dhe të të gjithë rajonit.

“Është kënaqësi të nënshkruajmë një marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi me Arkivat e Republikës së Moldavisë, të cilat edhe pse nuk janë kufitare të drejtpërdrejta me Republikën e Shqipërisë, ndajnë një pjesë të historisë sonë kombëtare. Në arkivat moldave gjenden historitë e emigrantëve shqiptarë dhe të diasporës shqiptare të hershme, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Rilindjen tonë Kombëtare”, u shpreh Bido.

Moldavia moderne është themeluar nga princër shqiptarë, dokumentet e të cilëve gjenden në arkivat moldave, por që tashmë do jenë në edhe në arkivat shqiptare.

Ndërkaq, Casu e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një mundësi shumë të mirë për shkëmbimin e dokumenteve.

Marrëveshja dypalëshe motivohet nga aspirata për bashkëveprim mes dy institucioneve arkivore simotra. Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.

Në kuadrin e 75-vjetorit të themelimit të DPA-së, u mbajt një kalendar i ngjeshur aktivitetesh. DPA-ja nënshkroi dy marrëveshje të tjera bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës dhe me Arkivin e Bosnjes dhe Hercegovinës, duke siguruar përkatësisht shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e diasporës shqiptare në Ukrainë dhe informacione mbi komunitetin e bashkëkombasve tanë në Bosnje dhe Hercegovinë. / atsh