Ballina Politika Rama: “Të parët në rajon për prokurimet”. Me këto ritme lë pa...

Rama: “Të parët në rajon për prokurimet”. Me këto ritme lë pa punë edhe SPAK-un

62
0

Kryeministri Edi Rama shpalli këtë fundjavë një tjetër sukses të madh të qeverisë së tij: Shqipëria, sipas tij, qenka sot vendi lider në rajon për prokurimet publike dhe një model transformimi digjital që po vlerësohet edhe nga Bashkimi Europian.

Në deklaratën e tij, Rama foli për “luftë kundër korrupsionit”, për një shtet modern dhe për një administratë ku qytetari nuk ka më nevojë të presë në radhë apo të japë ryshfet, sepse 95% e shërbimeve tashmë ofrohen përmes e-Albania-s.

Problemi është se një pjesë e mirë e shqiptarëve e përjetojnë ndryshe këtë sukses digjital. Për shumë qytetarë, e-Albania është kthyer prej kohësh në simbolin e një shteti që shpesh nuk funksionon pikërisht atëherë kur ke nevojë për të. Platforma bie, nuk hapet, bllokohet, nxjerr gabime teknike ose i lë njerëzit të sorollaten mes sporteleve virtuale, ndërsa ironia është se sistemi që duhej të eliminonte radhët ka prodhuar radhë digjitale dhe frustrim masiv.

Por pjesa edhe më cinike e kësaj historie është se ndërsa qeveria flet për transparencë dhe sukses në prokurime publike, SPAK vazhdon të mbushet me dosje që lidhen pikërisht me tenderat e shtetit.

Në muajt e fundit, pothuajse nuk kalon javë pa hetime për procedura të dyshuara të manipuluara, favore në tendera, kontrata të fryra dhe miliona euro fonde publike nën dyshime. Emra drejtorësh, zyrtarësh, administratorësh institucionesh dhe njerëzish të lidhur me sektorin e prokurimeve kanë përfunduar në hetim, ndërsa qeveria vazhdon të flasë për një sistem model.

Rama mburret se Shqipëria ka më pak procedura me një ofertues sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Por në Shqipëri problemi nuk ka qenë kurrë vetëm numri i ofertuesve. Problemi ka qenë gjithmonë perceptimi se në fund fitojnë pothuajse të njëjtët njerëz, të njëjtat kompani dhe të njëjtat rrjete interesi që prej vitesh ushqehen nga paratë publike.

Në fund, Shqipëria duket se ka arritur një formë të re modernizimi tipik ballkanik: korrupsioni nuk zhduket, thjesht digjitalizohet.