Ballina Kulturë Lord Bajroni dhe dashuria për popullin shqiptar

Lord Bajroni dhe dashuria për popullin shqiptar

8
0

Nga Jani Koçillari, Universiteti i Tiranës

Lord Bajroni është një nga shkrimtarët që më shumë e ka vlerësuar dhe dashur Shqipërinë. Kanë kaluar më shumë se dy shekuj nga vizita e parë e Lord Bajronit në tokën e shqiponjave, në vjeshtën e vitit 1809. Figura e tij në imagjinatën e popullit shqiptar është më e gjallë se kurrë. Sidomos lidhja e Grand Tour me veprën madhështore “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, në të cilin ai tregon kaq prekshëm për eksperiencën e tij në atdheun tonë.
Kjo vepër është bërë burim frymëzimi për shumë poetë, artistë si Goethe që e vlerësoi si gjeniu më i madh i kohës, J. C. Hobhouse, Karagjosi apo Th. Philip që e paraqiti me veshjen tipike shqiptare. Bajroni në vendin tonë nuk takoi filozofë, shkencëtarë, shkrimtarë të mëdhenj, por ai takoi Ali pashën dhe popullin shqiptar me korrektësinë, traditat, artin, estetikën, veshjet, kulturën dhe mirësjelljen e tyre. Në Tepelenë ai për herë të parë e ndie veten tamam si bir i Shqipërisë.
Në asnjë vend në Europë ku ai shkoi dhe me asnjë nga personazhet e famshme që takoi, nuk pati mundësinë të ndihej kaq i dashur dhe i vlerësuar si person dhe si poet, aq sa të thotë: I dua shumë shqiptarët. Falë veprës së tij ai pati fuqinë ta bëjë të njohur emrin e shqiptarëve në gjithë botën. Nëpërmjet shkrimeve arriti të vlerësojë historinë tonë të kaluar dhe të lavdishme.
Sot, në 2024, kush e ka rizbuluar nga ana arkeologjike, historike dhe artistike Shqipërinë, provon të njëjtat ndjenja të poetit; mbetet i mahnitur me thesaret, traditat, kulturën, mikpritjen, fisnikërinë, dashamirësinë dhe bukurinë e vendit tonë:
O toka e Shqipërisë, lejomë të kthej sytë e mi mbi ty …
Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë, mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën. Si shqiptarë, le t’i zbulojmë këto vende dhe t’i japim vlerësim dhe dinjitet vendit dhe Shqipërisë sonë.