Ballina Europë Aksident i frikshëm: 31-vjeçarja e dehur përplaset me kamionetë në hyrjen e...

Aksident i frikshëm: 31-vjeçarja e dehur përplaset me kamionetë në hyrjen e një shtëpie

32
0

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës pranë Furstenau-Schwagsdorf, në Gjermani, ku një 31-vjeçare dyshohet se në gjendje të dehur humbi kontrollin e kamionetës së saj dhe u përplas direkt në hyrjen e një shtëpie banimi.

Sipas policisë, gruaja sapo kishte furnizuar me karburant automjetin e saj tip Nissan Navara në një pikë karburanti në Furstenau, kur duke lëvizur me shpejtësi në autostradën federale B214, doli nga rruga dhe goditi me forcë ndërtesën, raporton Bild.

Përplasja shkaktoi dëme të mëdha materiale. Muri i shtëpisë u shemb, ndërsa tullat dhe mbeturinat u shpërndanë nëpër disa dhoma, duke dëmtuar edhe mobiliet. Banorët e shtëpisë mbetën në gjendje shoku, por fatmirësisht nuk pësuan lëndime.

Në automjet ndodheshin edhe dy fëmijë, një djalë pesëvjeçar dhe një vajzë shtatëvjeçare. Sipas raportimeve fillestare, ata shpëtuan pothuajse pa lëndime, ndërsa djali pësoi vetëm lëndime të lehta dhe u dërgua në spital për trajtim.

Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, policia dhe ekipet mjekësore. Hetuesit thanë se në automjet u gjetën kanaçe birre bosh, çka ngriti dyshimet për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Gruaja u dërgua në spital, ku iu mor edhe mostra e gjakut për analiza të mëtejshme.

Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit.