Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedime me gazetarë ka akuzuar sërish Ervin Salianji si “të shitur” te Edi Rama. I pyetur për ankimimin që ai ka bërë për përjashtimin nga gara për kryetarin e PD, Berisha tha se Salianji u vetëpërjashtua dhe se letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës nuk kanë asnjë vlerë për atë.
Z.Berisha u pyet edhe lidhur me kandidatin apo aspirantin për kandidat, që më pas u përjashtua nga KOKOE, Ervin Salianji, i ka dërguar një letër Partive Popullore Evropiane dhe drejtuesve të partive evropiane të qendrës së djathtë ku thotë se në PD po asgjësohen standardet demokratike dhe pluralizmi i brendshëm. A i druheni ju një krisje të marrëdhënieve me PPE pas kësaj letre ku pretendohen fakte rreth garës së PD?
Sali Berisha: PD është anëtare e të gjitha këtyre institucioneve dhe ai që shkruan letër është një i vetëpërjashtuar nga kjo parti.
Por ai natyrisht ka të drejtat e tij, mund të shkruajë letra ku të dojë, është i lirë.
Sikundër është i lirë t’i drejtohet organeve të partisë, gjykatës së partisë, ku të shprehë ankesën, megjithëse ai u vetëpërjashtua, zgjodhi vetë vetëpërjashtimin.
Ndaj dhe letrat e shkruara nga zyra e Edi Ramës apo ndonjë tjetri, nuk kanë asnjë vlerë për Sali Berishën.
Secili mund të shkruajë letra.







