Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, duke mos pranuar rekurset e paraqitura nga të dënuarit në këtë proces.
Vendimi konfirmon dënimet e dhëna më herët nga Apeli i Posaçëm për një sërë të pandehurish të përfshirë në dosje.
Sipas vendimit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 6 vite e 8 muaj heqje lirie.
Alqi Bllako është dënuar me 4 vite burg, që me gjykim të shkurtuar zbret në 2 vite e 8 muaj.
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë dënuar secili me nga 10 vite burg, ndërsa pas gjykimit të shkurtuar do të vuajnë nga 6 vite e 8 muaj heqje lirie.
Stela Gugallja është dënuar me 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj.
Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo janë dënuar me nga 4 vite heqje lirie, që me gjykim të shkurtuar zbresin në 2 vite e 8 muaj.
Po ashtu, Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin për Bardhyl Çabiri me 2 vite burg dhe për Serafin Papa me 1 vit e 4 muaj heqje lirie.
Vendimi është dhënë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni.







