Nga Shpëtim Luku
Dikur të botohej një shkrim ishte një emocion i madh, pasi shkrimi kishte kaluar disa hallka verifikimi derisa të quhej i vlefshëm. Sot mund të shkruash e hedhësh çdo gjë pa asnjë filtër.
Por problemi nuk është vetëm se janë zhdukur filtrat. Problemi është se bashkë me ta duket se janë zhdukur edhe kufijtë mes gazetarisë dhe propagandës, mes informacionit dhe opinionit, mes gazetarit dhe atij që thjesht ka diçka për të thënë.
Nuk kam asgjë kundër masivizimit të informacionit. Përkundrazi. Është një prej arritjeve më të mëdha të kohës sonë që secili mund të shprehë mendimin e vet, të publikojë një video, të denoncojë një padrejtësi apo të ndajë me të tjerët një informacion. Por të kesh mundësinë të publikosh nuk do të thotë se je gazetar. Ashtu siç të kesh një aparat fotografik nuk të bën fotograf, të kesh një tastierë dhe një faqe në internet nuk të bën gazetar.
Pikërisht këtu qëndron keqkuptimi ynë më i madh: kemi ngatërruar të drejtën për të shprehur një mendim me të drejtën për t’u konsideruar profesionist i gazetarisë.
Gazetaria nuk është thjesht të shkruash bukur, të bësh një pyetje provokuese, të publikosh një video apo të zbulosh një informacion që dikush tjetër nuk e ka publikuar. Ajo është, mbi të gjitha, një metodë pune. Një proces që nis me dyshimin, vazhdon me verifikimin, përballjen e burimeve, ndarjen e faktit nga interpretimi dhe përfundon me përgjegjësinë për atë që publikon.
Gazetari nuk është ai që ka gjithmonë një përgjigje. Është ai që di të bëjë pyetjen e duhur dhe ka durimin, këmbënguljen e ndershmërinë për të kërkuar përgjigjen e vërtetë.
Ndërkohë, në një pjesë të medias shqiptare, duket se kemi hyrë në një epokë tjetër. Në të, zhurma zë vendin e informacionit, sulmi personal zë vendin e investigimit, ndërsa bindja politike zë vendin e paanësisë profesionale. Ka njerëz që nuk raportojnë atë që ndodh, por atë që u kërkohet të ndodhë në mendjen e publikut. Nuk kërkojnë të zbulojnë të vërtetën, por të imponojnë një të vërtetë të paracaktuar.
Dhe më shqetësuese është se kjo dukuri nuk kufizohet vetëm te mediat që kanë një pronar apo një interes të dukshëm politik e ekonomik. Ajo është përhapur edhe në hapësirën e pafundme të portaleve, faqeve anonime dhe profileve që nuk kanë as adresë, as autorësi, as përgjegjësi editoriale. Një tekst pa autor, pa burime dhe pa prova mund të marrë brenda pak minutash mijëra shpërndarje dhe të trajtohet si lajm. Ndërsa një gazetari që ka kaluar ditë të tëra duke verifikuar një çështje i duhet të konkurrojë me të.
Në këto kushte, nuk është çudi që gazetaria investigative, e cila kërkon kohë, dije, guxim dhe burime, po ngatërrohet gjithnjë e më shpesh me një tekst kërcënues, me një denoncim të porositur apo me një faturë që dikush ia ka vënë përpara një subjekti për ta detyruar të paguajë një çmim.
Por kjo nuk është gazetari investigative. Është përdorim i emrit të gazetarisë për qëllime që me gazetarinë nuk kanë asgjë të përbashkët.
Por, kemi të bëjmë me një faj me shumë autorë. Një pjesë të përgjegjësisë e kanë edhe ata që e kanë kthyer gazetarinë në një aktivitet pa kritere, ku rëndësi ka vetëm numri i klikimeve, shikueshmëria, audienca apo aftësia për të prodhuar një skandal të radhës. E kanë edhe pronarët e mediave që, në vend të gazetarëve, kërkojnë njerëz të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të mbajtur gjallë një platformë. E kanë edhe ata që, për arsye politike, ekonomike apo personale, e kanë më të lehtë të blejnë një sulm mediatik sesa të përballen me një debat publik.
Dhe, natyrisht, e ka edhe publiku. Sepse duke shpërndarë pa menduar, duke besuar pa verifikuar dhe duke shpërblyer me vëmendje çdo përmbajtje që na ushqen paragjykimet, kontribuojmë në këtë degradim.
Megjithatë, nuk besoj se gazetaria ka humbur vlerën e saj. Përkundrazi, në një kohë kur informacioni është bërë i bollshëm dhe e vërteta gjithnjë e më e vështirë për t’u dalluar, gazetaria e mirë është më e nevojshme se kurrë. Ajo që ka humbur është një pjesë e autoritetit të saj publik, sepse emri i gazetarit është bërë aq i lehtë për t’u marrë, saqë nuk garanton më asgjë.
Dhe këtu më kthehet ndërmend ai dialog i para shumë viteve me një kolegun tim. Ai mendonte se sa më shumë njerëz të hynin në këtë profesion, aq më mirë do të ishte për ne. Unë kisha frikë se masivizimi do ta kthente gazetarinë nga një profesion elitar në një punë të rëndomtë.
Sot, pas gjithë këtyre viteve, mendoj se të dy kishim pjesërisht të drejtë. Ai kishte të drejtë për mundësitë që ofronte zgjerimi i medias. Unë kisha të drejtë për rrezikun që mbartte humbja e standardeve.
Gazetaria nuk u zhvlerësua ngaqë shumë njerëz filluan të shkruajnë. U zhvlerësua ngaqë shumë prej atyre që shkruajnë filluan të pretendojnë se po bëjnë gazetari, pa pranuar asnjë nga detyrimet që ky profesion mbart.
Pasi gazetaria nuk është privilegji i atyre që kanë një mikrofon, një kamerë apo një portal. Është përgjegjësia e atyre që e dinë se fjala publike nuk është thjesht një e drejtë për t’u ushtruar, por edhe një detyrim për t’u respektuar.
Ndoshta sot, më shumë se për të mbrojtur gazetarinë nga censura, duhet të shqetësohemi për ta mbrojtur atë nga ata që e kanë kthyer në një emër pa vlerë.







