Ballina Politika Malaj: Paraja kriminale po dëmton zhvillimin ekonomik dhe thellon pabarazitë në Shqipëri

Malaj: Paraja kriminale po dëmton zhvillimin ekonomik dhe thellon pabarazitë në Shqipëri

21
0

Ish-ministri i Financave i Partisë Socialiste, Arben Malaj, i ftuar në një studio televizive ka ngritur shqetësime të forta lidhur me ndikimin e parasë kriminale në ekonominë shqiptare.

Malaj deklaroi se prej rreth tetë vitesh, ekonomistë të ndryshëm kanë paralajmëruar se tolerimi i parasë me origjinë kriminale nuk mund të sjellë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe as rritje të mirëqenies.

Sipas Malajt, ideja se Shqipëria duhet të tolerojë në maksimum paratë kriminale duke u krahasuar me vende të tjera të zhvilluara, është e gabuar dhe nuk mbështetet në analiza historike apo studime ekonomike.

‘Kemi nja 8 vjet që ne, disa ekonomistë që e paralajmërojnë. E vërtetë. Se tolerimi i parasë kriminale nuk mund të ndihmojë Shqipërinë të ketë një zhvillim me ritme më të larta, zhvillim të qëndrueshëm dhe pasurim në mënyrë. Paraja kriminale krijon produkte kriminale.

Mua edhe si shqiptar, dhe si studiues më tmerron ideja që sundon në qeverisjen e Rilindjes që Shqipëria duhet duhet ta tolerojë në maksimum paranë kriminale se kështu janë bërë dhe vendet e tjera të fuqishme.

Nuk është e vërtetë. Në gjithë historinë e studiuar, përmasat e parasë kriminale në historinë e Amerikës apo vende të tjera, nuk kanë qenë dominuese në ekonomi.

Dhe e dyta, që është më kryesorja, atje fuqia e shtetit ka qenë aq e madhe sa nuk e ka lejuar asnjëherë paranë kriminale të drejtojë ato vendet siç dyshohet në rastin tonë dhe nga raporte të tjera, që qeveria ka influenca toleruese ndaj mafies dhe në disa raste edhe bashkëpunim me krimin e organizuar.

Paratë që po hidhen në Shqipëri nga burime kriminale do ta varfërojnë Shqipërinë. Nuk do ta bëjnë më të pasur. Do sjellin një polarizim më të madh, do e thellojnë ndarjen sociale, ku disa do të jenë milionerët e rinj ose oligarkët e rinj të qeverisë, dhe klasa e mesme dhe klasa e varfër do ta ketë më të rëndë për të plotësuar nevojat jetike duke filluar nga strehimi.

Kështu që në këtë aspekt është e vështirë ta luftosh me efiçencë luftën ë, kundër pastrimit të parave, në qoftë se ka një mentalitet të përgjithshëm që ndahet dhe nëpër tavolina, që sillet dhe me një lloj krenarie që ne po bëjmë atë që ka bërë Amerika në vitet 1920, që ka toleruar mafien e këto.

Po këto janë deklarata vetëjustifikuese, nuk bazohen në studime dhe nuk bazohen në të dhëna konkrete në historinë e zhvillimit të vendeve që ata u referohen’, u shpreh ndër të tjera Arben Malaj