Ballina Politika Lapaj refuzoi të dilte në mbrojtje të Rrjollit, aktivistja ikën nga ‘Shqipëria...

Lapaj refuzoi të dilte në mbrojtje të Rrjollit, aktivistja ikën nga ‘Shqipëria Bëhet’: Kandidatët mbahen larg, për vendimet njoftoheshim në rrjete sociale

55
0

Aktivistja Arlida Lleshi ka njoftuar publikisht largimin nga partia ‘Shqipëria Bëhet’ që drejtohet nga Adriatik Lapaj. Shkak për këtë është bërë refuzimi nga kryesia e partisë për të mbështetur banorët e Rrjollit në protestat e tyre kundër realizimit të projektit “Blue Borgo” me pronar biznesmenin Bashkim Ulaj.

Arlida Lleshi ka shprehur e të tjera pakënaqësi nga drejtimi i kësaj partisë politike, ku thotë se vendimmarrjet ishin target vetëm i kryesisë, ndërsa kandidatë e votuar liheshin jashtë. Gjithashtu ajo thotë njoftimet i merrnin nëpërmjet rrjeteve sociale.

Reagimi i plotë i Arilda Lleshit:

Nuk jam më pjesë e Shqipëria Bëhet!

Në këndvështrimin dhe eksperiencën time, lëvizja që u fut në politikë me misionin për ta demokratizuar vendin nuk po e praktikon demokracinë së brendshmi.

Zgjedhjet e 2025 ishin një pikë kritike për vendin dhe si aktiviste nuk mund të qëndroja neutrale. Zgjodha t’i bashkohem partisë Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e fundit, si partia e vetme e re që e kuptonte nevojën dhe urgjencën shoqërore për bashkim, që i ftoi partitë e tjera të reja të bashkëpunonin dhe nuk i sulmoi. U përpoqëm modestisht me grupin #duatevotoj2025 t’i afronim lëvizjet e reja përmes një kauze konkrete. Pavarësisht se asnjëra palë nuk u përpoq sinqerisht për bashkim, Shqipëria Bëhet u tregua më kontruktive dhe e dëgjoi mesazhin e njerëzve për bashkim.

Jam krenare që i dolëm përballë mafias në zgjedhjet e 2025 bashkë me ekipin e shkëlqyer të Lezhës, duke iu dhënë njerëzve një alternativë.

Pas zgjedhjeve, Endri Shabani i hodhi në erë përpjekjet tona. Shumë e kanë parë atë që ndodhi si përplasje për mandat, por në fakt nuk ishte ashtu. Ishte përplasje për përfaqësim. Endri as nuk e synonte mandatin. Thjesht donte të hidhte në erë gjithçka. Më vonë kjo u pa qartë, kur ai u zgjodh avokat i popullit me firmat e PD-së dhe votat e PS-së.

Ishte goditja e dytë e madhe pas rezultatit, por grupi iniciator qëndroi, vazhdoi dhe unë qëndrova me ta.

Pas skandalit me Belinda Ballukun dhe bllokimin e pezullimit dhe arrestimit të saj nga Partia Socialiste, shoqëria duhet të reagonte: me drejtësinë apo me mafian. Bashkë me aktivistët e Shqipëria Bëhet rezistuam në të ftohtin dhe shiun e dhjetorit e janarit, shpesh herë vetëm me një mushama veshur.

Ishte protesta më radikale paqësore nga një parti politike në historinë e tranzicionit shqiptar. Jam krenare që e bëra këtë sakrificë për vendin tim krahas këtyre aktivistëve. Vendi drejtohet nga mafia dhe brenda vetes kam vite që dua të ulëras. Ato ditë disi arrita të ulërisja, të tregoja se gjendja ishte alarmante dhe se unë isha e gatshme të ftohesha aty me shpresën që mund të bëja diçka.

Nuk kam qenë ndonjëherë pjesë e strukturave dhe vendimmarrjes së Shqipëria Bëhet. Kam parë plot vend për përmirësim, por jam e predispozuar t’i mirëkuptoj dhe mos t’i paragjykoj njerëzit që përpiqen ta luftojnë këtë sistem. Sulmi është aq i madh dhe në të gjitha frontet, mbështetja shumë e kursyer dhe gabimet të paevitueshme.

Mirëpo gjatë kësaj proteste, arrita të kuptoj diçka më shumë nga funksionimi i partisë.

Pika e parë e thyerjes për mua ishte Rrjolli. Njerëzit nuk po vinin te protestat tona, por po ngriheshin në protesta gjithandej. Duhet të shkonim ne tek ata dhe jo anasjelltas. Kur nisi protesta e Rrjollit, iu bashkova në mbështetje. Kam kërkuar mbështetjen e Shqipëria Bëhet në çdo moment. Edhe pse kanë dërguar përfaqësues në protestat në Tiranë, nuk e kanë mbështetur Rrjollin dhe nuk kanë qenë asnjë ditë në Rrjoll. Në diskutimet me to, shprehen se “këto kauza rrisin profilin e ndonjë aktivisti, por partia duhet të fokusohet në punë të tjera”, që në rastin më të mirë (edhe ky i keq) tregojnë paqartësi politike (nuk e dinë çfarë dhe kë përfaqësojnë dhe cila është arsyeja e ekzistencës së tyre) dhe në rastin më të keq, kompromentim. Më pas, koordinova komunitetet e Rrjollit dhe të Durrësit që të protestonin së bashku para parlamentit dhe sërish iu kërkova që t’i prinin kësaj kauze, por në vend të kësaj, në mbledhjen e kryesisë së asaj dite, kanë vendosur që pjesëmarrja në protesta të tilla duhet të bëhet me vendim kryesie. Në Rrjoll kam shkuar vetë, jo me kërkesë të Shqipëria Bëhet, mirëpo kushdo që pyet, thonë se më kanë dërguar ata si përfaqësuese.

Së bashku me aktivistë të tjerë brenda lëvizjes u bëmë bashkë për të kërkuar transparencë për këtë çeshtje dhe të tjera. Kandidatët e votuar mbahen larg vendimmarrjes; vendimet i merr një kryesi e emëruar. Vendimmarrjes i afrohesh me besnikëri ndaj grupit, jo me meritë. S’ka forume për diskutime për aksionin politik. Vendimet i marrim vesh nga rrjetet sociale. Zgjedhjet e brendshme shtyheshin vazhdimisht. Dërguam një letër të firmosur nga dhjetra aktivistë dhe kandidatë. Përpjekja u trajtua në mënyrë armiqësore. Takimi nuk bëri aspak transparencë, por u kthye në sulm ndaj nesh.

Dola nga aty me bindjen tashmë se grupi i ngushtë i Shqipëria Bëhet do të qëndrojë një grupim i mbyllur, që pranon në brendësi vetëm ata që binden dhe që unë nuk mund të bëja asgjë për të ndryshuar situatën. Parimet e demokracisë dhe meritokracisë që shpallin nuk i praktikojnë së brendshmi.

Angazhimi im vazhdon. Qytetarët po shtypen çdo ditë nga babëzia e pushtetarëve dhe duhet të jemi aty ku ndjehet më së shumti shtypja. Unë do jem!