Ballina Lifestyle Shefi i televizionit publik të Moldavisë jep dorëheqjen pas skandalit të votimit...

Shefi i televizionit publik të Moldavisë jep dorëheqjen pas skandalit të votimit në Eurovision

59
0

Drejtori i televizionit publik të Moldavisë ka dhënë dorëheqjen pas një debati të pazakontë lidhur me votimin në Eurovision Song Contest, ku juria moldave i dha vetëm tre pikë përfaqësueses së Rumanisë, duke mos reflektuar ndjeshmëritë tradicionale mes vendeve fqinje.

Në këtë konkurs, ekziston një “rregull i pashkruar” që vendet fqinje ose ato me lidhje të forta kulturore e politike zakonisht i japin njëra-tjetrës pikë të larta. Ky fenomen, i njohur si “votimi i fqinjësisë”, është studiuar shpesh, por rrallëherë është pranuar kaq hapur si këtë vit. Juria e Moldavisë jo vetëm që i dha pak pikë Rumanisë, por gjithashtu nuk i dha asnjë pikë Ukrainës, ndërsa vlerësoi maksimalisht Poloninë me 12 pikë dhe Izraelin me 10. Ndërkohë, publiku moldav votoi ndryshe: i dha 12 pikë Rumanisë dhe 10 Ukrainës.

Pas reagimeve të shumta dhe kritikave në rrjetet sociale, drejtori i Teleradio-Moldova, Vlad Turcan, dha dorëheqjen duke e cilësuar këtë situatë si “të jashtëzakonshme” dhe “serioze”. Ai theksoi se qëndrimi i Moldavisë ndaj Ukrainës nuk është ai i “zero pikëve” dhe se ndjenjat ndaj Rumanisë janë vetëm pozitive, por megjithatë e mori përgjegjësinë si drejtues i institucionit.

Lidhjet mes Moldavisë dhe Rumanisë janë të thella historikisht dhe kulturalisht, pasi një pjesë e territorit moldav ka qenë pjesë e Rumanisë në fillim të shekullit njëzet. Që nga pavarësia në vitin 1991, mbi 850 mijë qytetarë moldavë kanë marrë shtetësi rumune. Madje presidentja Maia Sandu ka deklaruar më herët se do të mbështeste bashkimin me Rumaninë nëse do të mbahej një referendum.

Reagimet nuk munguan edhe nga figura të tjera publike. Margarita Druta, e cila shpalli rezultatet live, tha se pothuajse refuzoi t’i lexonte ato. Ish-ministri i mbrojtjes Anatol Salaru theksoi se vota e publikut ishte ajo që kishte rëndësi, duke e quajtur “një votë mes vëllezërve”. Ndërsa komentatori politik Alex Cozer akuzoi transmetuesin publik se shkaktoi një “skandal me Rumaninë”.

Nga ana tjetër, ministri i kulturës Cristian Jardan kërkoi shpjegime për mënyrën si kishte votuar juria prej shtatë anëtarësh. Një prej tyre, Victoria Cusnir, u shpreh se ishte penduar që kishte pranuar të ishte pjesë e jurisë, duke e përshkruar reagimin publik si një “linçim publik”, dhe theksoi se vota e saj nuk ishte kundër Rumanisë.

Presidentja Sandu u përpoq ta ulte tensionin, duke deklaruar se nuk duhet lejuar që kjo çështje të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se pjesa më e rëndësishme ishte fakti që publiku moldav i dha pikët maksimale Rumanisë.

Në këtë edicion të Eurovision-it, këngëtarja rumune Alexandra Capitanescu u rendit në vendin e tretë me këngën “Choke Me”, kryesisht falë votave të publikut. Fituesja ishte këngëtarja bullgare Dara me këngën “Bangaranga”, ndërsa Izraeli u rendit i dyti.

Cspitsnescu deklaroi se nuk kishte asnjë pakënaqësi dhe falënderoi moldavët që e votuan, duke shtuar se nuk është e drejtë që një komb i tërë të gjykohet për vendimin e vetëm shtatë personave. Ndërkohë, përfaqësuesi i Moldavisë, Satoshi, i cili u rendit i teti, u bëri thirrje fansave të mos nxisin urrejtje, duke theksuar se vendet do të mbeten gjithmonë mike.

Megjithëse ka dhënë dorëheqjen, Vlad Turcan pritet të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.