Të hënën, Pattinson u prezantua si aktori i shtatë që do të interpretojë agjentin 007, duke zëvendësuar Daniel Craig-un në këtë rol ikonik. Banorët e rrugës ku ai kaloi fëmijërinë, në lagjen e gjelbëruar Barnes, në jugperëndim të Londrës, thanë se janë krenarë për aktorin, të cilin e përshkruajnë si “një djalë jashtëzakonisht të mirë”.
Një fqinj i moshuar, i cili kërkoi të mos identifikohej, kujtoi se “vajza të reja” dyndeshin në rrugë kur Pattinson interpretonte vampirin Edward Cullen në sagën fantastike “Twilight”.
Ai tha: “Vajzat e reja vinin dhe uleshin te gardhi ynë, përballë shtëpisë së tij, dhe e shikonin. Kur e pamë lajmin dje, thashë: “Oh, jo, prapë do të na vijnë vajzat këtu””.
Ai shtoi: “Tani është 40 vjeç dhe është një djalë jashtëzakonisht i mirë. Më kujtohet që, kur kthehej nga shkolla, trokiste në derë dhe thoshte: “Kam harruar çelësat”.
Ai shkon mirë me regjisorin. Kanë punuar edhe më parë bashkë, ndaj mendoj se do të jenë një kombinim i mirë.
Roberti është djalë shumë i mirë dhe mjaft miqësor. Zakonisht kthehet në shtëpi për Krishtlindje. Shkon vetëm në pub dhe takohet me shokët e vjetër të shkollës.
Lëviz gjithmonë i vetëm dhe nuk shkakton asnjë problem. Në Amerikë, kur del nga shtëpia, i duhen nja dy truproja”.
Një tjetër fqinje tha se i kujtohej kur dëgjonte Robertin e vogël duke kënduar në kopshtin e pasmë të shtëpisë.
Një banor i tretë, i cili jeton në atë rrugë prej 45 vitesh, kujtoi kohën kur Roberti i ri u përzgjodh për të interpretuar Cedric Diggory në filmin “Harry Potter dhe Kupa e Zjarrit”, të vitit 2005.
Ai tha se ishte “krenar” për suksesin e Robertit dhe përzgjedhjen e tij në rolin e James Bondit. Më tej shtoi: “Unë dhe bashkëshortja ime kemi marrëdhënie shumë të afërta me nënën e tij. Ata kanë qenë gjithmonë familje shumë e mirë”.
Në një njoftim për shtyp të publikuar të hënën, ku u bë i ditur roli i ri i aktorit, Robert Pattinson tha:
“James Bond është një nga personazhet më legjendarë të kinemasë dhe të më besohet roli i agjentit 007 është nderi më i madh i jetës sime.
I jam shumë mirënjohës Denisit, Amy-it, David-it, Tanya-s dhe të gjithë ekipit të Amazon MGM Studios për besimin që kanë tek unë. Të them se ky rol është një ëndërr e bërë realitet është pak. Nuk mund të isha më i emocionuar për këtë bashkëpunim dhe për punën që na pret me këtë ekip fantastik”.







