Ballina Lifestyle David Beckham padit kompaninë e parfumeve për 41 milionë dollarë: Produktet e...

David Beckham padit kompaninë e parfumeve për 41 milionë dollarë: Produktet e tij luksoze u shitën në pika karburanti

27
0

Ish-kapiteni i Anglisë dhe një prej figurave më të njohura të futbollit botëror, David Beckham, ka nisur një betejë ligjore prej të paktën 41 milionë dollarësh kundër kompanisë së kozmetikës Coty, duke e akuzuar për dëmtimin e imazhit luksoz të markës së tij.

Kompania DB Ventures, e lidhur me Beckham, pretendon se parfume që mbajnë emrin e ish-futbollistit janë shitur në dyqane me ulje të mëdha çmimesh dhe madje në pika karburanti, në kundërshtim me marrëveshjen e licencimit.

Sipas padisë, këto praktika kanë dëmtuar pozicionimin e produkteve si artikuj luksi dhe kanë cenuar marrëveshjen tregtare mes palëve. Beckham kërkon të paktën 41 milionë dollarë dëmshpërblim.

Nga ana tjetër, Coty ka kërkuar rrëzimin e padisë, duke argumentuar se gjykatat e New York-ut nuk kanë juridiksion për çështjen. Kompania pretendon gjithashtu se padia synon të ndërpresë më herët marrëveshjen ekzistuese dhe t’ia kalojë kontratat një kompanie tjetër.

Beckham, i cili ka ndërtuar një perandori biznesi pas përfundimit të karrierës sportive, është kthyer në një prej emrave më të fuqishëm të marketingut dhe modës. Pasuria e familjes Beckham është vlerësuar në afro 1.2 miliardë paund nga lista e pasurive e publikuar nga The Sunday Times.

Çështja pritet të ndiqet me interes, pasi përballë njëri-tjetrit janë një prej emrave më të njohur të sportit dhe një kompani gjigante e industrisë së bukurisë.