Aktorja britanike, Florence Pugh, ka reaguar ndaj komenteve dhe spekulimeve në rrjetet sociale se ka kryer ndërhyrje estetike në fytyrë, pasi fotografitë e saj nga ceremonia e ndarjes së çmimeve “Governors Awards 2026” nxitën diskutime në internet.
30-vjeçarja iu përgjigj drejtpërdrejt një postimi që pretendonte se ajo kishte rënë viktimë e asaj që u cilësua si “lufta e Hollywood-it kundër fytyrave të rrumbullakëta”.
Pugh nuk i la pa përgjigje komentet, duke sqaruar se ndryshimet në pamjen e saj lidhen me procesin natyror të rritjes dhe plakjes.
“Djema. Unë mbusha 30 vjeç. Jam grua. Trupat dhe fytyrat ndryshojnë. Nuk është ndonjë gjë e madhe. Fakti që njerëzit nuk arrijnë të dallojnë mes plakjes dhe ndërhyrjeve kirurgjikale është shqetësues”, ka shkruar aktorja.
Reagimi i saj u prit me mbështetje nga fansat, të cilët e përgëzuan për qëndrimin ndaj presionit dhe kritikave të vazhdueshme që gratë përballen për pamjen e tyre fizike.
Ndërkohë, Florence Pugh po përgatitet për një periudhë të ngarkuar promovuese, pasi në projektet e saj të ardhshme është edhe filmi “Dune: Part Three”.







