Shqipëria po rrit në mënyrë të ndjeshme varësinë nga mishi i importuar, ndërsa prodhimi vendas po tkurret.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë muajit prill 2026, importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme arritën në rreth 894 milionë lekë, niveli i dytë më i lartë historik i regjistruar për një muaj në 20 vite. Rekordi mbetet korriku i vitit 2025, kur importet arritën rreth 950 milionë lekë.
Rritja e importeve nuk ka të bëjë vetëm me çmimet, por edhe me sasitë e sjella nga jashtë. Në prill, pesha e mishit të importuar kaloi 5 milionë kilogramë, niveli më i lartë i viteve të fundit. Çmimi mesatar për kilogram mish të importuar arriti në rreth 178.6 lekë, nga 153.4 lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Analistët e tregut shprehin se kjo tregon një ndryshim të thellë në strukturën e furnizimit, me tregun vendas që mbështetet gjithnjë e më shumë te importi për të përmbushur kërkesën e brendshme.
Paralelisht, prodhimi vendas po ndjek një trend të kundërt. Në vitin 2024, prodhimi total i mishit ra në rreth 130 mijë tonë, niveli më i ulët në dy dekadat e fundit. Krahasuar me kulmin prej mbi 161 mijë tonësh në vitin 2018, prodhimi vendas ka rënë për më shumë se 31 mijë tonë, ose rreth 19%. Tkurrja lidhet me reduktimin e numrit të bagëtive, kostot më të larta të fermave, emigrimin nga zonat rurale dhe vështirësitë për të mbajtur aktivitetin blegtoral fitimprurës.
Me dokumente britanike të falsifikuara, si u lokalizua “Boli” në Brazil, pritet ekstradimi
Sa i përket furnizuesve, Brazili rezulton të jetë kryefurnizuesi me rreth 45% të totalit të importeve për këtë kategori produktesh. Pas tij renditen Shtetet e Bashkuara me 12.5%, Italia me 8.2%, Greqia me 8%, dhe Paraguai me 6.3%. Pjesa tjetër e tregut ndahet mes vendeve të tjera, si Serbia, Spanja, Holanda dhe Maqedonia e Veriut, me pjesëmarrje më të vogla.
Ekspertët paralajmërojnë se varësia në rritje nga importi dhe vështirësitë e prodhimit vendas mund të ndikojnë në stabilitetin e çmimeve dhe sigurinë ushqimore në vend, veçanërisht në një periudhë kur Bashkimi Evropian ka vendosur disa kufizime dhe bllokime për importet nga Brazili.
Kujtojme qe një komitet i BE-së i përbërë nga ekspertë nga shtetet anëtare votoi për të ndaluar importet e mishit brazilian duke filluar nga 3 shtatori për shkak të përdorimit të antimikrobikëve për të stimuluar rritjen e kafshëve.
Vendimi për të hequr Brazilin nga lista e vendeve që përputhen me standardet e sigurisë ushqimore të BE-së vjen në një kohë kur marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Mercosur midis BE-së dhe Brazilit, Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait hyri në fuqi përkohësisht më 1 maj.
Marrëveshja, e cila liberalizon tregtinë e produkteve bujqësore midis të dy anëve të Atlantikut, mbetet e kundërshtuar ashpër nga fermerët e BE-së, të cilët kanë frikë se standardet e ndryshme të prodhimit në të dy anët e Atlantikut do të krijojnë konkurrencë të padrejtë nga importet e Amerikës Latine.
Lista e vendeve të treta që përmbushin kërkesat e BE-së dhe për këtë arsye mund të eksportojnë kafshë prodhuese ushqimore në BE, do të miratohet zyrtarisht në ditët në vijim.
Komisioni Evropian ka thënë vazhdimisht se rregullat e sigurisë ushqimore të BE-së do të vazhdojnë të zbatohen për produktet bujqësore të importuara nga Amerika Latine pasi marrëveshja të hyjë në fuqi.
Zëdhënësja e Komisionit, Eva Hrncirova, konfirmoi për Euronews se nga 3 shtatori, Brazili nuk do të jetë më në gjendje të eksportojë në BE mallra të tilla si gjedhi, kuajt, shpendët, vezët, akuakultura, mjalti dhe zorrët.
“Marrëveshjet tregtare nuk i ndryshojnë rregullat tona”, tha Hrncirova, duke shtuar: “Komisioni përcakton standardet e detyrueshme sanitare dhe fitosanitare të Unionit, dhe si fermerët tanë ashtu edhe eksportuesit nga vendet e treta duhet t’i zbatojnë ato”.
Brukseli ka negociuar gjithashtu masa mbrojtëse që synojnë mbrojtjen e fermerëve të BE-së, duke përfshirë mekanizmat për të monitoruar ndërprerjet e mundshme të tregut nga një rritje e importeve nga vendet e Mercosur. U futën gjithashtu kuota për produktet e ndjeshme, duke përfshirë shpendët dhe mishin.
Pasi Brazili të demonstrojë pajtueshmëri me rregullat e sigurisë, BE-ja do të jetë në gjendje të rifillojë importet dhe Brazili do të jetë në gjendje të përfitojë nga i njëjti lehtësim tarifor si vendet e tjera të Mercosur.







