Ballina Aktualitet Dosja e Monika Kryemadhit në SPAK, zbulohen SMS-të për Shkëlzen Berishën

Dosja e Monika Kryemadhit në SPAK, zbulohen SMS-të për Shkëlzen Berishën

61
0

Detaje të reja tronditëse kanë dalë nga dosja e SPAK e siguruar nga “MaShqip”, ku dokumentohen blerje luksoze të Monika Kryemadhit në San Marino me karta krediti të lidhura me biznesmenin shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, ndërsa në të njëjtat komunikime përmenden edhe emrat e biznesmenit Bashkim Ulaj dhe Shkëlzen Berishës.

Sipas dosjes hetimore, në datën 24 shtator 2014, Monika Kryemadhi i shkruan Adrian Shatkut në WhatsApp se ndodhej në San Marino, ndërsa i tregonte edhe për planet familjare dhe udhëtimet në qendrën luksoze “Lanserhof”. Një ditë më pas, më 25 shtator 2014, SPAK thotë se Kryemadhi tentoi të kryente blerje luksoze në butikët “Ferreti Boutique” dhe “Maccapani”, por karta “Black” nuk po pranohej, çka solli një seri komunikimesh direkte me Adrian Shatkun.

Dosja e Monika Kryemadhit në SPAK, zbulohen SMS-të për

Nga verifikimet bankare rezulton se Monika Kryemadhi kreu fillimisht një pagesë prej 3 mijë euro në “Ferreti Boutique” me kartën e saj personale, ndërsa më pas u përdor karta “American Express Black”, e lidhur sipas SPAK me Adrian Shatkun, për një tjetër pagesë prej 12 mijë eurosh në butikët luksozë të San Marinos.

Dosja e Monika Kryemadhit në SPAK, zbulohen SMS-të për

Në komunikimet WhatsApp të zbuluara nga hetuesit, Monika ankohet se karta nuk po funksiononte, ndërsa Shatku i përgjigjet se kompania e kartës “kishte menduar se ishte vjedhur”. Më pas ai i shkruan se karta ishte bërë “reset” dhe mund të përdorej përsëri.

Sipas SPAK, pagesa prej 12 mijë eurosh u realizua me sukses. Monika i kërkon Shatkut që karta të mbetej aktive “për çdo rast”, ndërsa ai i përgjigjet se ishte absurde që një “Black Card” të bllokohej.

Dosja e Monika Kryemadhit në SPAK, zbulohen SMS-të për

Hetuesit shqiptarë i kërkuan ndihmë juridike autoriteteve të San Marinos për të verifikuar transaksionet. Përgjigjja zyrtare konfirmon se në datën 26 shtator 2014 në llogarinë e kompanisë “Maccapani S.R.L” është kredituar një pagesë prej 12 mijë eurosh nga POS-i i datës 25 shtator 2014, transaksion që përputhet plotësisht me bisedat mes Monika Kryemadhit dhe Adrian Shatkut në WhatsApp.

Por ajo që rëndon më shumë në dosje janë komunikimet që lidhen me interesat ekonomike dhe ndikimin politik për projektin e fibrave optike në Shqipëri.

Teksa po zgjidhte problemet e kartës së kreditit të Monikës në San Marino, Adrian Shatku i shkruante paralelisht për lejet që priste nga ministri Edmond Haxhinasto:

“Mondi duhet të japë akses siç është ATU e Bashkimit… nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë… është paralizuar tregu dhe pasuria publike për Bashkimin dhe Zenin.”

Sipas SPAK, me “Bashkimin” bëhet fjalë për biznesmenin Bashkim Ulaj, ndërsa “Zeni” referohet për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në një tjetër pjesë të komunikimit, Shatku i shkruan Monikës: “Ka ndonjë të re me kabllin? Investitorët po humbasin besimin. Duhet vepruar tani.”

Ndërsa Monika Kryemadhi i përgjigjet: “Mi bëj një kërkesë zyrtare Mondit që të japë të drejtë për të vendosur fibër në akset e rrugës.”

Dosja e SPAK thotë se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë ushtruar ndikim tek ministrat dhe institucionet shtetërore për të favorizuar kompaninë “UNIFI Communication INC” të Adrian Shatkut në projektet e fibrave optike dhe interkoneksionit ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, sipas hetuesve, Monika Kryemadhi përfitonte udhëtime, rezervime luksoze dhe karta krediti për blerje personale, ndërsa SPAK dyshon se këto ishin përfitime të lidhura me ndikimin politik që ajo ushtronte në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan./MaShqip