Ballina Aktualitet Qeveria zgjeron kompetencat e SHISH, përjashtohet nga deklarimi i pasurisë tek ILDKPKI

Qeveria zgjeron kompetencat e SHISH, përjashtohet nga deklarimi i pasurisë tek ILDKPKI

46
0

Qeveria ka propozuar ndryshime të reja në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar, duke zgjeruar kompetencat e institucionit që tashmë do të quhet zyrtarisht “Shërbimi Informativ i Shtetit” (SHISH). Projektligji parashikon që SHISH të mbledhë informacion jo vetëm për terrorizmin, spiunazhin apo kërcënimet tradicionale ndaj sigurisë kombëtare, por edhe për sigurinë ekonomike, kërcënimet kibernetike, kërcënimet hibride dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit.

SHISH ka të drejtën për akses në bazat e të dhënave shtetërore, me kufizime sipas funksionit ligjor dhe në bazë të marrëveshjeve ndërinstitucionale.

Po kështu, projekligji parashikon edhe ndryshime për trajtimin financiar të drejtuesve të institucionit. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it do të përfitojnë pagë bazë, shtesa për vjetërsi dhe për natyrë të veçantë pune, ndërsa trajtimi financiar do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ata do të përfitojnë gjithashtu pensione suplementare sipas legjislacionit për funksionet kushtetuese dhe punonjësit e shtetit.

Punonjësit e SHISH-it do të përjashtohen nga detyrimi për deklarimin e të ardhurave nga paga dhe nga deklarimi i kontrollit të pasurive pranë strukturave të zakonshme të kontrollit. Verifikimi i tyre do të kryhet nga një strukturë e posaçme brenda vetë SHISH-it, sipas procedurave të miratuara nga drejtori i institucionit.