Përkujtohet sot 27-vjetori i Masakrës së Dubravës, një prej ngjarjeve më tragjike të luftës në Kosovë dhe një simbol i vuajtjeve të shqiptarëve gjatë regjimit serb.
Në Burgun e Dubravës do të mbahen në orën 11:00 homazhet përkujtimore në nderim të viktimave, të plagosurve dhe të mbijetuarve të kësaj masakre.
Aktiviteti përkujtimor organizohet në 27-vjetorin e masakrës që ndodhi gjatë periudhës 19–24 maj 1999, kur dhjetëra të burgosur shqiptarë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën brenda Burgut të Dubravës.
Organizatorët kanë ftuar ish-të burgosurit, familjarët e viktimave, të mbijetuarit e masakrës dhe qytetarët e interesuar që të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore.







