Ballina Bota “Armëpushim pa kushte dhe heqja e sanksioneve”/ Marrëveshja mes SHBA dhe Iranit,...

“Armëpushim pa kushte dhe heqja e sanksioneve”/ Marrëveshja mes SHBA dhe Iranit, 10 pikat kryesore të draftit për paqe

45
0

Një marrëveshje e shumëpritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të finalizohet brenda orëve të ardhshme, pas javësh negociatash intensive të ndërmjetësuara nga Katari dhe Pakistani.

Sipas raportimeve të Al Arabiya, drafti final i marrëveshjes përfshin dhjetë pika kryesore që synojnë t’i japin fund konfliktit dhe tensioneve të vazhdueshme mes dy vendeve që nga fundi i muajit shkurt.

Megjithatë, ajo që bie në sy është mungesa e çdo reference direkte për programin bërthamor iranian, një nga çështjet më të ndjeshme në raportet mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Sipas mediave saudite, marrëveshja parashikon:

-Një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte në tokë, det dhe ajër.

-Angazhim të ndërsjellë për të mos sulmuar infrastrukturën ushtarake, civile apo ekonomike.

-Ndalimin e të gjitha operacioneve ushtarake dhe ndërprerjen e luftës mediatike.

-Respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit shtet, si dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme.

-Garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, Gjirin Arabik dhe Gjirin e Omanit.

-Heqjen graduale të sanksioneve amerikane ndaj Iranit, në këmbim të respektimit të marrëveshjes nga Teherani.

-Riafirmimin e respektit për të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.

-Nisjen e negociatave për çështjet e pazgjidhura brenda shtatë ditëve.

K-rijimin e një mekanizmi të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

-Hyrjen në fuqi të marrëveshjes menjëherë pas njoftimit zyrtar nga të dyja palët.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se Irani nuk ka kërkuar “asnjë lëshim” nga SHBA-ja, por vetëm “rivendosjen e të drejtave të tij”.

Sipas raportimeve, kjo përfshin:

heqjen e sanksioneve amerikane,

lirimin gradual të aseteve iraniane të ngrira,

si dhe heqjen e bllokadës detare që ka kufizuar eksportet iraniane të naftës.

Pavarësisht progresit të madh diplomatik, disa tema mbeten ende të hapura. Mes tyre është programi bërthamor iranian dhe menaxhimi i trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, të cilat pritet të diskutohen më tej në negociata të veçanta në javët në vijim.

Nëse marrëveshja shpallet zyrtarisht, ajo mund të përfaqësojë një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike në Lindjen e Mesme në vitet e fundit.