Nga Nikolla Kedhi
Kalimi i IBAR me një sërë kushtesh është një hap për vendin, i shoqëruar me paralajmërime të qarta për pushtetin.
Versioni i parë i raportit, i hartuar në shkurt 2026, kishte një gjuhë më të butë dhe fliste për “progres” të Shqipërisë. Por në maj 2026, pas negociatave mes vendeve anëtare, teksti u ashpërsua ndjeshëm dhe është në një linjë me shqetësimet e qytetarëve shqiptarë, shqetësimet e ngritura nga PD, nga raporti i Parlamentit Evropian dhe organizata ndërkombëtare. Kushdo qe e lexon raportin e sheh fare qartë.
BE flet për keqpërdorim të burimeve shtetërore, ndikim të rrjeteve të patronazhit, ndërhyrje të ekzekutivit dhe Parlamentit në drejtësi, moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, standardet e Komisionit të Venecias për imunitetin, si dhe nevojën që SPAK të punojë i pavarur, pa presion dhe pa ndërhyrje. Përmendet specifikisht Qeveria si ndikuese ne drejtësi dhe shprehet keqardhje per vendimet e Kuvendit në lidhje me ish zyrtarë e deputetë të hetuar të marrë në mbrojtje nga shumica.
Ka një ashpërsim të gjuhës duke e cilësuar si krucial shqetësimin për korrupsionin.
Raporti ngre shqetësime edhe për:
sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme;
mungesën e transparencës te ndërmarrjet shtetërore;
problemet me pronat në bregdet;
shpronësimet pa kompensim të drejtë;
rotacionet dhe integritetin në polici.
Për herë të parë, dokumenti përmend edhe “rrjetet e patronazhit”, duke kërkuar masa kundër keqpërdorimit të shtetit dhe burimeve publike për qëllime politike.
Shqipëria duhet të ecë përpara drejt BE-së, por me meritë, duke arritur standardet, dhe qeveria duhet të ndalojë së penguari standardet evropiane me pushtetin, patronazhin, presionin politik dhe arrogancën institucionale. Ne standardet duhet t’i arrijmë jo se na i kërkon dikush, por në radhë te parë për veten tonë. Për të jetuar në një vend normal, me mundësi ekonomike, fuqizim te individit dhe familjes shqiptare, arsim e shëndetësi cilësore.
Evropa kërkon zgjedhje të lira, drejtësi të pavarur, institucione që zbatojnë Kushtetutën dhe një shtet ku ligji vlen njësoj për të gjithë. Të njëjtat që kërkojnë qytetarët shqiptarë dhe opozita.






