Ballina Politika Me raportin IBAR, Brukseli kërkon qeveri tjetër

Me raportin IBAR, Brukseli kërkon qeveri tjetër

58
0

Nga Grigels Muçollari

Edi Rama e nxiti publikun ta lexojë me vëmendje të shtuar raportin e IBAR-it, pasi e paraqiti atë si triumf personal ndaj Opozitës. Por, në reagimin e Kryeministrit nuk ka pothuajse asgjë për integrimin. Ai kërkon vetëm të thotë se paska mposhtur në duel PD-në.

Kur lexon raportin, kupton se Brukseli i ka dhënë Shqipërisë një karrotë, por qeverisë një shkop.

Sanksionimi i korrupsionit si problem themelor nuk është goditje ndaj PD-së, siç pretendon Edi Rama. Është një shuplakë për qeverinë dhe një kredit publik për Opozitën. Në raport përmenden të gjithë sektorët nën kontrollin e Kryeministrit, ku abuzohet dhe përfitohet.

E njëjta gjë vlen edhe për pengimin e drejtësisë dhe imunitetin special që Edi Rama votoi në Parlament, duke bllokuar SPAK-un.

Patronazhistët në zgjedhje dhe të gjitha shkeljet elektorale që, sipas raportit, nuk duhet të përsëriten më — janë vallë dekorata për qeverinë dhe Edi Ramën?

Kur raporti kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, ai po thotë qartë se ato të 11 majit nuk ishin të tilla. Brukseli po nënvizon se Edi Rama nuk korrigjohet; ai di vetëm të manipulojë votën.

Në thelb, raporti i IBAR-it kërkon një qeverisje tjetër për të ecur përpara me integrimin. Është një mesazh për të shkuar drejt një zgjidhjeje politike, që mund të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të reja, me votë të lirë dhe të ndershme.

Çdo hap i mëtejshëm në integrim, sipas këtij raporti, e përjashton Edi Ramën.