Klotilda Bushka, e cila është e pandehur në dosjen “Veliaj 1”, ka dhënë shpjegime në SPAK për këtë fraksion të dytë të hetimeve. Në dosjen e parë, sipas Lalës, SPAK pretendon se Bushka ka penguar drejtësinë, ndërsa paraqitja e saj e fundit lidhet me hetimet për “Veliaj 2”.
“Ditën e sotme ka dhënë shpjegime ish deputetja e PS, Klotilda Bushka, e cila është e pandehur në dosjen Veliaj 1. Te dosja e parë e Veliaj, pretendohet nga SPAK se ka penguar drejtësinë. Ndërkohë, ditën e sotme është pyetur për Veliaj 2, fraksioni ku pika kryesore ka të bëjë me kompaninë Gogel të Arbër Veliaj”, u shpreh Lala.
Sipas gazetares, këto veprime hetimore vijnë pak ditë përpara shqyrtimit të rekursit të Veliajt në Gjykatën e Lartë lidhur me masën e sigurisë, si edhe përpara vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për arrestin.
Lala tha se Veliaj ka paraqitur argumentet e tij, ndërsa SPAK në parashtresë ka ngritur pretendimin se ekzistojnë bashkëpunëtorë të drejtësisë që mund të intimidohen nëse ai lirohet.
“Veprimet vijnë pak ditë para se Gjykata e Lartë të shqyrtojë rekursin e Veliajt për masë dhe Gjykata Kushtetuese të shprehet për arrestin. Veliaj ka ngritur argumentet e veta. SPAK pretendon, në një nga fjalitë në parashtresë, se kemi bashkëpunëtorë të drejtësisë që mund të intimidohen nëse Veliaj lirohet”, tha Lala.
Ajo përmendi gjithashtu edhe procesin në Gjykatën Administrative me prokurorin e posaçëm Ols Dado, ndërsa theksoi se dosja “Veliaj 2” shtrihet mbi aktivitetin e vëllait të Veliajt.
“Pastaj ka proces në Administrative me Ols Dadon, prokurorin e posaçëm. Por dosja Veliaj 2 është çështje që shtrihet mbi aktivitetin e vëllait të Veliajt”, deklaroi gazetarja Klodiana Lala.







