Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka pranuar se një nga gabimet më të mëdha gjatë periudhës së tij në klub ishte vendimi për të mos i dhënë një mundësi tjetër portierit Joe Hart.
Guardiola, i cili do ta mbyllë aventurën e tij te Manchester City pas ndeshjes së fundit të sezonit në Premier League kundër Aston Villa, ka thënë në një intervistë se ky vendim e ka shoqëruar me pendesë për vite të tëra.
“Kur merr shumë vendime, natyrisht bën edhe gabime. Një pendesë që e kam thellë brenda prej shumë vitesh është se nuk i dhashë Joe Hart një mundësi për të qëndruar me mua dhe për të treguar sa portier i mirë ishte.
Mund të kisha thënë: ‘Mirë Joe, ta provojmë bashkë dhe nëse nuk funksionon, atëherë ndryshojmë’. Por gjërat ndodhën ndryshe”, është shprehur Guardiola.
Pas ardhjes së tij në vitin 2016, tekniku spanjoll e kishte dërguar Hart në huazim fillimisht te Torino dhe më pas te West Ham United. Portieri anglez ishte larguar përfundimisht nga City në vitin 2018 për t’iu bashkuar Burnley.
Më vonë, Hart pati një periudhë të shkurtër edhe te Tottenham Hotspur, para se ta përfundonte karrierën te Celtic.
Guardiola ka thënë se pjesa më e vështirë e profesionit të trajnerit është menaxhimi i emocioneve njerëzore.
“Nëse kam dështuar në këtë aspekt, kërkoj falje, por kurrë nuk ka qenë qëllimi im apo i klubit”, ka deklaruar ai.







