Një 17-vjeçar është plagosur me thikë dhe nëntë persona janë arrestuar pas përleshjeve masive që shpërthyen gjatë një grumbullimi të paautorizuar të të rinjve në Clapham Common të Londrës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur dhjetëra adoleshentë u përfshinë në dhunë në parkun e njohur të jugut të Londrës.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë të rinj duke u goditur me grushte dhe duke u përleshur mes tyre, ndërsa disa sulmoheshin edhe kur ndodheshin të shtrirë në tokë.
Policia metropolitane ndërhyri me forca të shumta për të shpërndarë turmën, ndërsa në vendngjarje u panë edhe ambulanca. 17-vjeçari i plagosur u dërgua në spital me plagë thike, por autoritetet thanë se dëmtimet nuk konsiderohen kërcënuese për jetën.
Sipas policisë, mes të arrestuarve ka adoleshentë të moshës 14 deri në 19 vjeç, të dyshuar për dhunë të rëndë, përleshje dhe posedim armësh të ftohta. Një 18-vjeçar u arrestua gjithashtu për sulm ndaj një efektivi policie.
Situata u përshkallëzua pasi një aktivitet muzikor në park doli jashtë kontrollit. Video të shpërndara online tregojnë përplasje mes të rinjve dhe policisë, ndërsa oficerët e armatosur me shkopinj përpiqeshin të rikthenin rendin.
Ngjarja vjen vetëm disa javë pasi grupe të rinjsh shkaktuan trazira edhe në Clapham High Street, në tubime të organizuara përmes rrjeteve sociale. Për shkak të incidenteve, disa biznese si Waitrose, Sainsbury’s dhe McDonald’s u detyruan të mbyllnin dyert më herët.
Autoritetet britanike kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga dëshmitarët, ndërsa hetimet për incidentin vijojnë.







