Sistemi SelfCare, nëpërmjet të cilit bizneset kryejnë veprimet administrative online, sërish ka shfaqur probleme funksionimi gjatë ditës së sotme.
Bizneset thanë për “Monitor” se nëse hap faqen e SelfCare dhe klikon identifikim nëpërmjet e-Albania dhe i jep të dhënat e-Albania-s, sërish të kërkon identifikim (shiko videon).
Si rrjedhojë subjektet nuk arrijnë që të hapin sistemin, që të shikojnë faturat apo të tjera veprime që ke në SelfCare.
Ky problem ka filluar që pak para orës tetë të mëngjesit të ditës së sotme. Ndërsa gjatës ditës së djeshme, ku bëhej ‘log- on” nëpërmjet E-Albania tek efilling, sërish nuk funksiononte, ndërsa ditën e sotme ky problem është zgjidhur.
Bizneset e kanë të pamundur të bëjnë dhe fiskalizimet e doganave apo të faturave te tjera, teksa shpesh del njoftimi se NIPT nuk ekziston, çka tregon se ka probleme sistemi.
“Kam bërë disa ndryshime për persona fizik, dhe më janë kthyer me pretendim që nuk janë nënshkruar.
Nëse tentoj t’i riaplikoj, nuk i hap fushat”, thotë Igli, kontabilist i miratuar. Kontabilistët ankohen se nëse i çon email Qendrës Kombëtare të Biznesit, të vjen përgjigje se nuk ke nënshkruar aplikimin.
Burime nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila menaxhon sistemin e-Albania thanë për “Monitor” se janë duke punuar.
Të paktën që nga fundi i vitit të kaluar, biznesi ka hasur vazhdimisht probleme me aksesin në Selfcare. Edhe pasi AKSHI filloi të zbatonte sistemin e ri, sërish problemet kanë vijuar.







