Sunderland, të cilët u rikthyen këtë sezon në Premier Ligë, mbyllën kampionatin në pozicionin e shtatë pas një fitoreje dramatike 2-1 kundër Chelseat në xhiron e fundit.
Ky sukses erdhi pasi Brentfordi barazoi me Liverpoolin dhe Brighton u mposht nga Manchester United, duke plotësuar skenarin perfekt për tifozët në “Stadium of Light”.
Ndikimi i menjëhershëm i Xhakës si kapiten
Në qendër të këtij revolucioni që kushtoi rreth 160 milionë funte për 14 transferime, qëndron mesfushori shqiptar, Granit Xhaka. I ardhur si një emër i madh për të udhëhequr një skuadër të sapopromovuar, Xhaka mori shpejt shiritin e kapitenit dhe u shndërrua në liderin absolut të mesfushës së bashku me Enzo Le Fee dhe Nordi Mukiele.
Sipas analizës së përmbledhur nga Flashscore, investimi te lojtarët me përvojë si Xhaka ishte çelësi i suksesit:
“Afati kalimtar i verës do të hyjë në histori si më i miri i Sunderlandit… Granit Xhaka, Enzo Le Fee dhe Nordi Mukiele u dalluan veçanërisht përgjatë kësaj fushate””.
Në ndeshjen vendimtare ndaj Chelseat, Xhaka mori kontrollin e lojës në dorë që nga pjesa e parë, duke diktuar ritmin e lojës që çoi në golat e Trai Hume dhe autogolin e Malo Gustos.
Ky sukses merr përmasa përrallore po të llogaritet se ku ndodhej klubi vetëm katër vite më parë, kur vuanin në League One (kategoria e tretë angleze).
“Vetëm katër vite më parë, Sunderlandi po festonte fitoren në play-off ndaj Wycombe për të dalë nga League One. Tani, tifozët ndjejnë se vetëm qielli është limiti për këtë skuadër dhe menaxhment”.
Nën drejtimin e trajnerit francez Regis Le Bris, i cili kombinoi në mënyrë perfekte lojtarët e vjetër të klubit me yjet e rinj si Brian Brobbey, Sunderlandi arriti t’i mposhtë dy herë rivalët e përjetshëm të Newcastle dhe ta mbyllë sezonin me lot gëzimi, duke u përgatitur zyrtarisht për udhëtimet evropiane në edicionin 2026/27.







