Ballina Europë Mediat italiane: Diviesti u vra dhe u dogj për borxhin 330 euro,...

Mediat italiane: Diviesti u vra dhe u dogj për borxhin 330 euro, Igli Kamberi kontrollonte trafikun e drogës

68
0

Akuzat e ngritura, në nivele të ndryshme, ndaj 15 personave – mes tyre katër gra – që sot u goditën nga masat e sigurisë të kërkuara nga DDA e Barit dhe Prokuroria Speciale e Tiranës, të koordinuara nga Eurojust, janë: vrasje me paramendim me metoda mafioze, tentativë zhvatjeje, mbajtje dhe armëmbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve, favorizim personal, shkelje e masave parandaluese personale dhe pastrim ndërkombëtar i parave nga Italia drejt Shqipërisë.

Mes të hetuarve janë tre personat e dyshuar si përgjegjës për vrasjen, përfshirë autorin e dyshuar kryesor: Igli Kamberi, një 41-vjeçar shqiptar që kontrollonte dhe menaxhonte trafikun e drogës “me metoda mafioze” në Barletta. Me të ndodheshin, në momentin e krimit, dy italianë – një burrë dhe një grua nga Barletta – të cilët dyshohet se ndihmuan në zhdukjen e gjurmëve të krimit dhe “nuk i treguan autoriteteve gjyqësore atë që dinin”, shpjegojnë hetuesit.

Diviesti u vra nga dy persona dhe vrasja e tij erdhi pas një tentative zhvatjeje për një borxh prej 500 eurosh, që më pas zbriti në 300 euro me dhënien me qira të një makine për llogari të të dyshuarit kryesor, 41-vjeçarit Kamberi.

“Diviesti kundërshton kilometrazhin e makinës së marrë me qira dhe ky qëndrim interpretohet si fyerje, sepse 26-vjeçari vuri në diskutim pozitën dominuese të 41-vjeçarit, fjalën e tij. Një fyerje që, sipas gjuhës më arkaike të pushtetit mafioz, lahet me gjak”, shpjegoi zëvendësprokurori Giuseppe Gatti, koordinator i DDA-së së Barit.

“Frika mbetet arma më efektive për të ushtruar presion, dhe këtë e konfirmon deklarata e një miku të 26-vjeçarit, i cili pasi tregoi për tentativën e zhvatjes dhe pas gjetjes së kufomës, u kthye te hetuesit për të tërhequr deklaratat, sepse kishte përmendur emra personash që sipas tij ishin të rrezikshëm”.

Shkatërrimi i trupit të 26-vjeçarit ishte “një mesazh për të gjithë: kush gabon, paguan. Me gjak”, theksoi prokurori Roberto Rossi.