Ballina Kosovë Priten takime/ Delegacioni i kongresistëve amerikanë mbërrin në Kosovë, pjesë e turit...

Priten takime/ Delegacioni i kongresistëve amerikanë mbërrin në Kosovë, pjesë e turit të tyre në Ballkanin Perëndimor

54
0

Delegacioni i kongresistëve amerikanë ka mbërritur të martën në Prishtinë, si pjesë e turit të tyre në Ballkanin Perëndimor, ku të nesërmen pritet të ketë takime edhe me udhëheqësit e Kosovës.

Delegacioni, i përbërë nga Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve, e vizituan të martën pasdite kampin Bondsteel – bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, njoftoi Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Delegacioni kaloi pasditen në kampin Bondsteel duke u takuar me anëtarët e shërbimit të përkushtuar të Komandës Rajonale të KFOR-it-Lindje dhe Grupit Mbështetës të Zonës-Ballkan”, shkroi Ambasada në X.

Vizita e tyre në Kosovë zhvillohet pas atyre në Sarajevë dhe Serbi, përfshirë Luginën e Preshevës, ku Self dhe Subramanyam theksuan se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë.

Në Kosovë, Self dhe Subramanyam pritet të takohen me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, të mërkurën paradite.

Javën e kaluar, Kurti njoftoi se e kishte zhvilluar një takim virtual me një grup kongresistësh, në mesin e tyre edhe Self.

“Bashkëpunimi dypalësh në mbrojtje midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është më i fortë se kurrë. Kjo, kryesisht, për shkak të mbështetjes dërrmuese dypartiake që Kosova gëzon në Kongresin e SHBA-së”, shkroi Kurti në X, pas asaj bisede.