Nga Klevis Elezi
Projekti i TID në Durrës po prezantohet si një nismë për rikthimin në identitet të qytetit dhe nxjerrjen në pah të mureve historike të kalasë. Në teori tingëllon bukur. Historia duhet ruajtur, trashëgimia duhet respektuar dhe qyteti duhet të marrë frymë kulturë. Por problemi lind kur standardi nuk është i njëjtë për të gjithë.
Sot qytetarëve u kërkohet të sakrifikojnë banesat e tyre me argumentin se duhen zbuluar muret e kalasë apo amfiteatrin e lashtë. Atëherë pyetja që lind natyrshëm është: pse nuk veprohet njësoj edhe me pallatin ku ndodhet ish-lokali “Fly”, kur dihet publikisht se edhe poshtë tij ndodhen pjesë të murit të kalasë?
A ka ligji dy standarde? Një për qytetarët e zakonshëm dhe një tjetër për të fortët ekonomikë apo interesat e caktuara? Nëse qëllimi është vërtet mbrojtja e trashëgimisë kulturore, atëherë logjika duhet të jetë e njëjtë për çdo ndërtim që prek historinë e qytetit. Përndryshe, ky projekt rrezikon të perceptohet jo si zhvillim urban, por si selektivitet urban.
Durrësi nuk ka nevojë për propagandë me mure antike të përdorura sipas interesit të momentit. Ka nevojë për transparencë, drejtësi dhe respekt ndaj qytetarëve që prej vitesh jetojnë e kontribuojnë në atë qytet.
Trashëgimia historike nuk mund të përdoret si justifikim vetëm aty ku është më e lehtë të goditen njerëzit pa pushtet. Nëse Bashkia kërkon besimin e qytetarëve, duhet të japë përgjigje të qarta: a vlejnë të njëjtat rregulla për të gjithë, apo historia mbrohet vetëm kur nuk cenon interesat e mëdha?
“Ups, fola shumë…” por ndonjëherë heshtja do të ishte edhe më e rëndë.







