Ballina Rajoni Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec, Athina: Mbeti i plagosur një shtetas grek,...

Dhuna ndaj protestuesve në Zvërnec, Athina: Mbeti i plagosur një shtetas grek, kërkojmë zbardhjen e plotë të incidentit

56
0

Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar lidhur me protestën e djeshme në Zvërnec, e cila u përfshi nga dhuna e ushtruar nga disa roje private ndaj qytetarëve që ishin kundër resortit që është planifikuar të ndërtohet në zonë.

Athina zyrtare thotë se gjatë protestës mbeti i plagosur dhe një shtetas grek, duke nënkuptuar një anëtar të minoritetit grek në vendin tonë. Ministria greke thekson se Ambasada e Greqisë në Tiranë ndërmori menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i ofruar shtetasit grek të gjithë asistencën e nevojshme konsullore dhe mjekësore.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet e ndodhura dje, më 30 maj 2026, në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ndodhej edhe një shtetas grek që mbeti i plagosur”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

“Ambasada e Greqisë në Tiranë po kryen paralelisht edhe ndërhyrjet e nevojshme pranë palës shqiptare, duke kërkuar zbardhjen e plotë të incidentit dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës”, thuhet më tej në deklaratë, ku shtohet se: “Në këtë kuadër, ne marrim në konsideratë reagimin e parë të autoriteteve shqiptare”.

“Ritheksojmë nevojën për respektimin e plotë të shtetit të së drejtës, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek, si edhe rëndësinë e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura mjedisore, në kuadër të përafrimit me acquis communautaire të Bashkimit Europian, respektimi i të cilit përbën kusht për përparimin e procesit të integrimit”, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë.