Keanu Reeves dhe partnerja e tij, artistja vizuale Alexandra Grant, kanë ndarë disa detaje të rralla nga marrëdhënia e tyre gjatë pjesëmarrjes në galanë e Muzeut të Artit Bashkëkohor (MOCA) në Los Anxhelos.
Çifti, i cili është në një lidhje prej disa vitesh, foli për mënyrën se si dashuria ka ndikuar në jetën dhe krijimtarinë e tyre. I pyetur nëse pajtohet me idenë se Alexandra është “një grua e lehtë për t’u dashur”, aktori i njohur nuk hezitoi të përgjigjej me një “Po!” të menjëhershme.
Nga ana e saj, Grant tregoi se lidhja me yllin e Hollywood-it ka lënë gjurmë të dukshme edhe në artin që krijon. Artistja pranoi se veprat e saj kanë marrë një energji më pozitive dhe optimiste që prej nisjes së marrëdhënies me Reeves.
“Pikturat e mia janë bërë më të lumtura. Është diçka e pamohueshme”, u shpreh ajo, duke shtuar se çdo vepër artistike mbart në një formë apo tjetër përvoja personale të autorit.
Ndërsa Grant foli hapur për ndikimin e dashurisë në krijimtarinë e saj, Reeves u tregua më i rezervuar kur u pyet nëse lidhja ka ndryshuar edhe artin e tij.
Çifti është së bashku që prej vitit 2019, megjithëse bashkëpunimi i tyre nisi më herët në projekte artistike dhe botuese. Gjatë eventit, ata theksuan gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së artistëve dhe institucioneve kulturore, duke nënvizuar se arti mbetet një pjesë thelbësore e jetës së tyre.
Deklaratat e tyre kanë tërhequr vëmendjen e fansave, të cilët prej kohësh e konsiderojnë marrëdhënien e Keanu Reeves dhe Alexandra Grant si një nga historitë më të dashura në botën e showbiz-it.







