Brenda muajit qershor pritet të hapet për qarkullim në dy sense lëvizjeje, segmenti i parë prej 7.5 km i rrugës Elbasan – Qafë Thanë të Korridorit VIII. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, nga tetë kontratat që përbëjnë këtë aks, njëra është përfunduar plotësisht, ndërsa po vijojnë punimet për mbylljen e fazës së dytë.
Aktualisht qarkullimi kryhet vetëm në njërën anë të rrugës, ndërsa shpronësimet e miratuara së fundmi nga qeveria pritet të mundësojnë hapjen e plotë të trafikut në segmentin e parë.
Paralelisht bëhet me dije se pjesa më e madhe e punimeve në lotet aktuale parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa përfundimi i plotë i të tetë fazave të projektit synohet brenda dhjetorit 2027.
Paralelisht, gjatë këtij viti pritet të nisë edhe zbatimi i një kontrate të re, e njohur si faza e nëntë, ku përfshihet tuneli i Hotoloshtit e që do i japë zgjidhje përfundimtare problematikës së krijuar në këtë fshat. Kjo pasi projekti i mëparshëm e ndante fshatin në 2 pjesë, çka solli dhe kundërshtimin e banorëve të zonës. Sipas ARRSH, kjo ndërhyrje konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të projektit, pasi shmang ndikimet që do të kishte ndërtimi i rrugës në sipërfaqe dhe adreson kërkesat e komunitetit dhe biznesit lokal.
Korridori VIII është një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend dhe synon të lidhë portet shqiptare me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me rrjetin europian të transportit.







