Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka ndërmarrë një nismë të re ligjore duke dorëzuar në Kuvend projektligjin që synon të lehtësojë financiarisht pensionistët që vazhdojnë të mbeten aktivë në tregun e punës.
Nisma e propozuar parashikon ndryshime dhe shtesa në ligjin ekzistues për sigurimet shoqërore, duke ofruar një përjashtim të përkohshëm katërvjeçar nga detyrimi për të paguar kontributet e sigurimeve shoqërore në degën e pensioneve për të gjithë ata pensionistë pleqërie që janë të punësuar ose ushtrojnë aktivitete si të vetëpunësuar, tregtarë, profesionistë të licencuar apo zejtarë.
Sipas relacionit shpjegues të hartuar nga deputeti Cara, ky përjashtim do të aplikohet vetëm për degën e pensioneve dhe nuk do të prekë detyrimet e tjera ligjore që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, ndërsa kjo periudhë katërvjeçare nuk do të njihet si periudhë sigurimi për përfitime shtesë apo rillogaritje të pensionit ekzistues.
Projektligji përfshin edhe një dispozitë tranzitore, e cila garanton që ky lehtësim të shtrihet si mbi marrëdhëniet e reja, ashtu edhe mbi ato ekzistuese në momentin e hyrjes në fuqi.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme të deputetit demokrat është krijimi i një instrumenti stimulues për nxitjen e pjesëmarrjes aktive të moshës së tretë në tregun e punës, duke adresuar dekurajimin që u shkaktohet atyre nga barra e dyfishtë kontributive.
Të dhënat e cituara në relacion tregojnë se aktualisht përllogariten rreth 13,000 mijë pensionistë aktivë në Shqipëri, të cilët sot detyrohen të paguajnë kontribute pavarësisht se e kanë fituar të drejtën e pensionit.
Përmes këtij propozimi, synohet rritja e formalizimit të ekonomisë duke nxitur deklarimin e aktiviteteve ekonomike nga kjo kategori, si dhe përdorimi më efikas i kapitalit njerëzor dhe përvojës së tyre profesionale, sidomos në sektorët që vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore. Hartuesi i projektligjit argumenton se reduktimi i kostove të formalizimit do të ndihmojë në rritjen e mirëqenies individuale të pensionistëve dhe standardit të tyre të jetesës.
Sa i përket ndikimit në financat publike, relacioni i dorëzuar nga deputeti Igli Cara sqaron se projektligji mund të sjellë një ndikim të kufizuar afatshkurtër në të ardhurat nga kontributet, për të cilat sugjerohet marrja e një mendimi nga ministria përgjegjëse për financat, por ky efekt pritet të kompensohet plotësisht në afat të mesëm.
Ky kompensim parashikohet të vijë përmes rritjes së formalizimit dhe të ardhurave tatimore indirekte, pasi transaksionet e faturuara dhe konsumi i shtuar i kësaj kategorie do të ndikojnë pozitivisht në buxhet, duke e bërë efektin neto neutral ose pozitiv.
Zbatimi i këtij ligji, i cili konsiderohet në përputhje me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës, do të bëhet nën monitorimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke u cilësuar nga propozuesi si një prioritet që duhet mbështetur nga Kuvendi pa dallime politike







