Ballina Aktualitet Domatet mbeten në kufi/ Maqedonia bllokon kamionët shqiptarë, eksportuesit flasin për pengesa

Domatet mbeten në kufi/ Maqedonia bllokon kamionët shqiptarë, eksportuesit flasin për pengesa

71
0

Mbi 10 kamionë të ngarkuar me perime shqiptare kanë mbetur të bllokuar prej tri ditësh në pikën kufitare të Qafë-Thanës dhe Morinës, pasi autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë vendosur të analizojnë çdo ngarkesë me domate me origjinë nga Shqipëria përpara se të lejojnë hyrjen e saj në treg.

“Kjo domate është cilësore dhe është shumë gabim të qëndrojë e bllokuar në doganë, pasi nuk ka asnjë gjë të ndaluar”, thotë Nedrete Arapi, eksportuese.

Grumbulluesit e prodhimeve bujqësore një sjellje të tillë e cilësojnë si luftë tregtare; shteti maqedonas perimet shqiptare vendos t’i mbajë “peng” në pikën kufitare sa herë që prodhimi i tyre është bërë gati për treg.

“Ne këtë gjë e përjetojmë çdo vit sa herë që prodhimet e tyre dalin në treg, na ka shqetësuar shumë. Nëse kjo domate rri në kamion tri ditë, atëherë kalbet dhe fatura rëndon mbi ne”, shtoi Arapi.

Për pjeprin dhe shalqinin historia ndryshon. Ato kalojnë kufirin pa pritje e analiza maratonë. Me sa duket, kur prodhimi vendas mungon, edhe dyshimet për cilësinë zbehen.

“Analiza të imtësishme po kërkohen veçanërisht për domaten, më pak për specin dhe trangullin, ndërsa ngarkesat me fruta si pjepër e shalqi e kalojnë menjëherë kufirin, as që i kontrollon kush. I bëj apel shtetit maqedonas të mos sillet kështu me ne”, përfundoi Arapi.

Eksportuesit e fruta-perimeve kërkojnë që procedurat e kontrollit të mos shndërrohen në pengesë për tregtinë, pasi vonesat në kufi rrezikojnë mundin e fermerëve që punojnë me cilësi.