Ballina Aktualitet INSTAT: Popullsia bie në 2 milionë e 336 mijë vetë

INSTAT: Popullsia bie në 2 milionë e 336 mijë vetë

57
0

Popullsia e Shqipërisë u tkurr me mbi 27 mijë vetë vitin e kaluar teksa kriza demografike e vendit vazhdon të përkeqësohet. Instituti i Statistikave raportoi se popullsia totale e Shqipërisë zbriti në 2 milionë e 336 mijë vetë në 1 janar të këtij viti nga 2 milionë e 363 mijë vetë që ishte në 1 janar të vitit të kaluar.

“Popullsia e Shqipërisë më 1 Janar 2026 rezulton 2.335.930 banorë, duke pësuar rënie me 1,16 %, krahasuar me 1 Janar 2025,” raportoi INSTAT.

Shkaqet e krizës demografike të vendit vazhdojnë të jenë të njëjtat, rënia e lindshmërisë dhe emigracioni.

“Rënia e popullsisë është rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë: Shtesës natyrore, që për vitin 2025 ishte pozitive me +1.147 lindje më shumë se vdekje dhe Migracionit neto, i cili mbeti negativ me -28 mijë e 531 vetë,” raportoi INSTAT.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, i vetmi qark në rang vendi që shënoi rritje të popullsisë ishte Tirana, ndërkohë që në 11 qarqet e tjera të vendit popullsia ra.

“Uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Kukës (-2,59 %) dhe Shkodër (-2,56 %),” tha INSTAT.

Shqipëria vazhdon kështu të mpaket me ritme të qëndrueshme duke e ekspozuar ekonominë përballë rreziqeve të mëdha në të ardhmen.