Ballina Politika SPAK shton akuzat ndaj Ballukut dhe vë në provë qëndrimet e Ramës...

SPAK shton akuzat ndaj Ballukut dhe vë në provë qëndrimet e Ramës ndaj drejtësisë

80
0

Shtimi i akuzave për korrupsion dhe pastrim parash nga SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku i ka hapur një tjetër sfidë kryeministrit Edi Rama, për të treguar nëse do t’u qëndrojë deklaratave të tij të mëparshme në raport me drejtësinë.

Kujtojmë se në prill të vitit 2024, pak ditë pas arrestimit të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës në kuadër të dosjes “5D”, Rama deklaronte se mbështeste pa kushte SPAK-un dhe se lufta kundër korrupsionit duhej të shkonte deri në fund. Sipas tij, aty ku kishte prova dhe fakte, Prokuroria e Posaçme duhej të vepronte pa hezitim.

“Miku im, e njëjta përgjigje vlen edhe për këtë pyetje, SPAK t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye ku ka prova për këdo qoftë që nga njëra anë është rreshtuar sipas shkallëve të caktuara në frontin e shtetit për punën e përbashkët dhe nga ana tjetër e shfrytëzon pozicionin e tij në atë front për punën e përveçme dhe krejt të pa amnistueshme për përfitim të paligjshëm të godasë dhe të mos pyesë as majtas as djathtas por vetëm drejt. Në fund të ditës kjo është gjëja që kam dashur dhe që kam kërkuar”, shprehej Rama në një intervistë në prill të vitit 2024.

Megjithatë, qëndrimi i kryeministrit u kushtëzua kur në fokus të SPAK-ut u vendos zëvendësja e tij, Belinda Balluku. Rama e mbrojti publikisht dhe në Kuvend duke mos ia hqeur mandatin me argumentin se ndaj saj nuk ishte ngritur asnjë akuzë për korrupsion.

“Në këtë rast nuk përballë një çështjeje korrupsioni, sepse vetë prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion. Jemi përballë një çështjeje në hetim, e cila mund të hetohet lirisht pa as më të voglën pengesë. Unë e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe të gërmojë pista kudo ku mund të mendohet se gjatë rrugës mund të shfaqet hija e korrupsionit”, deklaronte Rama dy muaj më parë.
Duket se kjo thirrje është marrë në konsideratë nga SPAK, i cili njoftoi sot zgjerimin e hetimeve ndaj Ballukut, duke shtuar akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Gjithashtu, me vendim gjykate është vendosur sekuestro preventive mbi një vilë në zonën e Dhërmiut, e cila dyshohet se lidhet me përfitime të paligjshme.

Sipas hetimeve, Balluku dyshohet se ka përfituar si ryshfet një vilë me vlerë 145 mijë euro në Dhërmi nga biznesmeni Pandeli Carapuli, pas favorizimeve të pretenduara në tenderët e Albcontrol. Për të fshehur pronësinë e pasurisë, sipas SPAK, është përdorur ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare, përmes dokumenteve fiktive që e paraqisnin atë si blerës të vilës. Tare po ashtu është marrë nën hetim për pastrim parash dhe këtë të enjte u pyet për rreth pesë orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Tashmë, me akuzat e reja të ngritura nga SPAK, vëmendja zhvendoset te qëndrimi që do të mbajë kryeministri Rama ndaj një prej figurave më të rëndësishme të PS dhe qeverisë sl tij, ndërsa mbetet për t’u parë nëse deklaratat e tij të mëhershme për mbështetje të pakushtëzuar ndaj drejtësisë do të reflektohen edhe në këtë rast./vna