Autoritetet polake kanë realizuar një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës në më shumë se një dekadë, duke sekuestruar mbi një ton heroinë me vlerë rreth 60 milionë dollarë në portin e Gdynias.
Sipas policisë, droga ishte fshehur në kontejnerë transporti dhe ishte maskuar si tulla dekorative, në një përpjekje për t’iu shmangur kontrolleve doganore. Operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga autoritetet britanike, të cilat sinjalizuan në muajin mars mbërritjen e një ngarkese të dyshimtë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, e cilësoi aksionin si “operacionin më të madh të këtij lloji në më shumë se 10 vjet”.
Ndërkohë, prokuroria ka nisur procedura penale ndaj dy burrave dhe një gruaje nga Polonia, të dyshuar për përfshirje në rrjetin e kontrabandës së drogës. Hetimet vijojnë për të identifikuar lidhjet ndërkombëtare të organizatës kriminale dhe destinacionin përfundimtar të ngarkesës.







