Ballina Politika Irani ‘dhëmb për dhëmb’ me Ramën: Dëgjo shqiptarët që kërkojnë largimin tënd,...

Irani ‘dhëmb për dhëmb’ me Ramën: Dëgjo shqiptarët që kërkojnë largimin tënd, mos fajëso Teheranin…

66
0

Përplasja verbale mes Tiranës dhe Teheranit është përshkallëzuar ndjeshëm pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj Iranit, lidhur me akuzat e përsëritura për sulme kibernetike ndaj Shqipërisë si dhe me deklaratën se pas protestave në vendin tonë fshihet Irani.

Reagimi zyrtar ka ardhur nga Ministria e Jashtme e Iranit, ku zëdhënësi Esmaeil Baqaei ka kundërshtuar deklaratat e kryeministrit shqiptar përmes një postimi në rrjetin social X, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Sipas Baqaei, akuzat ndaj Iranit po përdoren nga qeveria shqiptare për të zhvendosur vëmendjen nga zhvillimet e brendshme dhe pakënaqësitë e qytetarëve, përfshirë protestat që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

“Qetësohuni, zoti kryeministër. Ishit ju që e nisët këtë”, shkruan ai, duke shtuar se Rama duhet të përballet me kritikat e qytetarëve të tij dhe jo të kërkojë fajtorë jashtë vendit për tensionet politike. Në vijim të reagimit të tij, diplomati iranian thekson se qytetarët shqiptarë janë të aftë të gjykojnë vetë situatën politike dhe se qeveria duhet të dëgjojë zërat që, sipas tij, po ngrihen në rrugët e Tiranës.

“Qetësohuni, zoti kryeministër. Ishit JU, zotëri, që e nisët këtë. Pra, duhet të përballeni me muzikën! Do të ishte më e mençur të tregonit pak respekt për inteligjencën dhe gjykimin e popullit tuaj, si një komb me kulturë të pasur dhe histori krenare.

Ata janë mjaftueshëm të mprehtë për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta. Nëse zgjidhni të shisni sovranitetin tuaj kombëtar, ky është vendimi juaj. Nuk na detyroheni një shpjegim. Por kur përballeni me zemërimin dhe kritikat e publikut tuaj, mos i përdorni të tjerët si kurban për t’i shpëtuar llogaridhënies”, thuhet në reagim.

Në fund të deklaratës, Baqaei i referohet edhe protestave në Shqipëri, duke cituar thirrjet “Jo korrupsionit”, “Duam drejtësi” dhe “Rama ik”, të cilat sipas tij pasqyrojnë klimën aktuale politike në vend.