Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, beson se Kampionati Botëror i ardhshëm është mundësia më e madhe në karrierën e tij për të fituar Kampionatin Botëror. Duke hyrë në Botërorin e tretë në formë të shkëlqyer fizike dhe me një bilanc mbresëlënës golash, sulmuesi është i vendosur ta fitojë trofeun më prestigjioz dhe ta vulosë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj anglezë të të gjitha kohërave, shkruan “Goal.com”.
Kane në turneun e shumëpritur vjen pas një sezoni fantastik me klubin. Në një intervistë për ITV Football, ai pranoi se futbolli është i paparashikueshëm, por shprehu besim të madh në gjendjen e tij aktuale fizike. Ai theksoi se ardhja në garë në kulmin e formës i jep Anglisë një avantazh të rëndësishëm.
“Në futboll kurrë nuk e di çfarë mund të ndodhë, ndaj çdo turneu i qasesh sikur mund të jetë i fundit. Më njihni, dua të luaj edhe shumë e shumë vite. Ndihem në kulmin tim, kurrë nuk jam ndier më mirë,” deklaroi Kane. Kapiteni anglez vazhdon të shënojë gola në nivelin më të lartë. Goli i tij i fundit në miqësoren kundër Zelandës së Re të shtunën e kaluar vendosi një tjetër rekord historik.
Ai e forcoi pozitën si golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë me 79 gola, duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm në të cilin ka realizuar 67 gola për klubin dhe kombëtaren. Duke folur për ambiciet në Botëror, Kane tha:
“Duke parë formën në të cilën ndodhem dhe sezonin që kam pasur, kjo është ndoshta mundësia më e mirë që do ta kem ndonjëherë në karrierë për ta fituar Kupën e Botës.”
Anglia do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore kundër Kosta Rikës para se të fokusohet plotësisht në ndeshjet e grupit L në Botëror. Kane dhe bashkëlojtarët e tij do ta nisin rrugëtimin në Kampionatin Botëror kundër Kroacisë më 17 qershor, më pas do të përballen me Ganën më 23 qershor dhe Panamën më 27 qershor.







