Hekurudha Shqiptare ka shtyrë afatin për dorëzimin e ofertave në tenderin ndërkombëtar me vlerë 90 mln euro për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë.
Sipas njoftimit të ndryshuar të publikuar në platformën evropiane TED, afati për paraqitjen e ofertave është zhvendosur nga data 10 qershor në 22 korrik 2026, duke u dhënë operatorëve ekonomikë rreth 6 javë shtesë për përgatitjen e dokumentacionit.
Përtej shtyrjes së afatit, dokumenti i ri sjell edhe disa kërkesa shtesë për kompanitë pjesëmarrëse. Kontraktori që do të shpallet fitues do të duhet të respektojë detyrimet e Bankës Evropiane të Investimeve për integritetin, mbrojtjen e mjedisit dhe aspektet sociale, si dhe të hartojë plane të posaçme për menaxhimin e çështjeve mjedisore, shëndetësore dhe të sigurisë gjatë zbatimit të punimeve.
Po ashtu, në ndryshim nga njoftimi i parë, ofertuesve u kërkohet të paraqesin edhe informacion mbi stafin dhe kualifikimet profesionale të personelit që do të angazhohet në projekt.
Projekti parashikon projektimin dhe ndërtimin e rreth 34 km linjë hekurudhore, kryesisht mbi gjurmën ekzistuese. Punimet përfshijnë rikonstruksionin dhe ndërtimin e urave, nënkalimeve dhe mbikalimeve për këmbësorë, rehabilitimin e një tuneli rreth 380 metra të gjatë, modernizimin e kalimeve në nivel, si dhe instalimin e sistemeve moderne të sinjalistikës hekurudhore.
Në paketën e investimit përfshihet gjithashtu rikonstruksioni i 5 stacioneve hekurudhore, ndërtimi ose rehabilitimi i rrugëve paralele të aksesit dhe masa për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Linja do të projektohet në mënyrë që të mund të elektrifikohet në një fazë të mëvonshme.
Vlera e parashikuar e kontratës mbetet 90 milionë euro pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e zbatimit është 48 muaj.







