Kapiteni Granit Xhaka me kombëtaren e Zvicrës gjenden në zonën që vlerësohet si e rrezikshme nga gjarpërinjtë.
Mediat ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime për rrezikun nga gjarpërinjtë në kampin stërvitor të kombëtares së Zvicrës në San Diego, por eksperti i kapjes së gjarpërinjve, Bruce Ireland, ka minimizuar frikën, duke thënë se futbollistët zviceranë duhet madje të jenë të lumtur nëse shohin një gjarpër me zile.
“Gjithçka nisi pasi Federata e Futbollit e Zvicrës publikoi një hartë të kompleksit stërvitor në San Diego, ku kodrat pranë fushës u quajtën me humor (Zona e gjarpërinjve).
Kjo shkaktoi reagime të shumta në media botërore”, ka shkruar mes tw tjera media zvicerane “Blick”.
“Kombëtarja zvicerane publikon grafikë tronditëse të kompleksit futbollistik në Kaliforni”, shkroi “New York Post”.
Edhe “Bild”, “The Sun”, Fox News, madje edhe portale nga Kuvajti, Kina dhe Gana e trajtuan këtë temë.
“Blick” kishte raportuar që në fund të prillit për gjarpërinjtë pranë qendrës stërvitore të Zvicrës, pasi autoritetet amerikane e kishin këshilluar ekipin zviceran që të mos udhëtonte me biçikletë nga hoteli drejt fushës së futbollit në San Diego Jewish
Academy, siç kishte bërë gjatë Euro 2024 në Stuttgart.
Por sa i madh është realisht rreziku që yjet e Zvicrës të sulmohen papritur nga një gjarpër gjatë stërvitjes?
“Blick” pyeti personin që e di më mirë këtë punë. Bruce Ireland (61), prej nëntë vitesh kap gjarpërinj në Kaliforninë Jugore.
“Mediat pëlqejnë t’i paraqesin gjarpërinjtë si të rrezikshëm.
Por nuk janë aspak të tillë.
Gjarpërinjtë nuk duan të kenë punë me njerëzit, nuk ua ndien fare për ne”, shpjegon amerikani me origjinë nga Teksasi.
Kjo vlen edhe për gjarpërinjtë helmues me zile, shumë të përhapur në Kaliforni.
“Në këtë zonë ka gjarpërinj kudo, është e mundur që vetëm në shkurret pranë nesh të ketë dhjetë prej tyre”.
Megjithatë, kushdo që sheh një të tillë nuk duhet të panikojë. “Duhet të gëzohesh, të bësh një fotografi dhe pastaj thjesht të largohesh”, thotë Ireland.
“Gjarpërinjtë bëhen të rrezikshëm vetëm kur mendojnë se janë në rrezik.

Prandaj gjëja më budallaqe që mund të bësh është të sulmosh një gjarpër”, shton ai. Ireland drejton një ekip prej 50 personash që mbulon të gjithë rajonin e San Diego County.
Sa herë që dikush sheh një gjarpër në ose rreth shtëpisë, telefoni i tij bie.
Kjo ndodh mes 2000 dhe 3000 herë në vit.
Gjatë vitit të kaluar, Ireland dhe ekipi i tij kapën rreth 1100 gjarpërinj, të gjithë në baza vullnetare.
“Më parë, për gjarpërinjtë thirrej zjarrfikësja.
Shpesh ata i vrisnin kafshët.
Kjo nuk më pëlqente”, rrëfen eksperti, teksa ‘Blick’ e viziton në shtëpinë e tij.
Aty ai i mban gjarpërinjtë e kapur për disa ditë para se t’i fusë në çantën e shpinës, të ecë në natyrë dhe t’i lirojë përsëri.
“Gjithmonë brenda një rrezeje prej një milje nga vendi ku janë gjetur.
Kështu gjarpri rikthehet në një ambient të njohur për të”, shpjegon Ireland.
Mes tyre ka shumë gjarpërinj me zile – e vetmja specie helmuese e përhapur në Kaliforni.
Edhe pse pickimi i tyre mund të jetë fatal për njerëzit, Ireland jep një lajm qetësues:
“Për sa kohë personi dërgohet me kohë në spital, shanset për të mbijetuar janë shumë të mira”, thotë ai.
Edhe statistikat e mbështesin këtë: në SHBA regjistrohen rreth 8000 raste pickimesh nga gjarpërinj helmues në vit, ndërsa mesatarisht vetëm pesë përfundojnë me vdekje.
Vetë Ireland nuk është pickuar asnjëherë nga një gjarpër helmues gjatë gjithë jetës së tij.
“Nëse dikush pickohet, ndoshta e ka merituar disi – sigurisht që ka bërë diçka gabim”, thotë 61-vjeçari.
Sipas tij, futbollistët zviceranë nuk kanë pse të shqetësohen fare. “Duhet të gëzohen nëse kanë fatin të shohin një gjarpër me zile”, thotë “kapësi i gjarpërinjve”.
Megjithatë, deri më tani kjo nuk ka ndodhur ende, siç bëri të ditur mesfushori i Zvicrës, Michel Aebischer, në konferencën për shtyp të së hënë.







