Ndërsa sheshet dhe rrugët e Shqipërisë po valëviten rregullisht nga pankartat e qytetarëve në protesta e tubime për të drejtat e pronësisë, institucioni që mban çelësat e këtij ngushtimi social, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), ka përgatitur një dokument mbi masat e marra për vitin 2025. Dokumenti i siguruar ekskluzivisht nga VNA, nuk thotë asgjë për konfliktet pronësore apo mbivendosjes, por tenton të projektojë imazhin e një suksesi të paprecedent administrativ. Megjithatë, leximi i shifrave zyrtare mes rreshtave zbulon një realitet tjetër: një nxitim të dyshimtë elektoral dhe zvarritje të rrezikshme që shërbejnë si karburant i pastër për konfliktet e radhës në terren.
“Boom”-i elektoral, dyfishim i vendimeve në prag të votimeve
Sipas të dhënave të vetë raportit, viti 2025 është shpallur si “viti me performancën më të lartë” në procesin e legalizimeve që nga krijimi i institucionit në vitin 2019. Kadastra raporton se ka nxjerrë plot 26,101 vendime përfundimtare për legalizim/moslegalizim përgjatë vitit 2025, duke tejkaluar më shumë se dyfishin e vitit paraardhës 2024, ku u regjistruan vetëm 11,167 vendime.
Nga këto, 26,101 raste u mbyllën me vendim përfundimtar, ndërsa 2,620 kërkesa të tjera morën vendimmarrje të ndërmjetme. Por ajo që ngre pikëpyetjet e një vëzhguesi kritik është grafiku i ecurisë muaj pas muaji:
Janar – Maj: Procesi nisi me ritme mesatare prej 1,699 deri në 2,097 vendime në muaj.
Nëntor – Dhjetor: Me afrimin e vitit elektoral, zyrat e Kadastrës pësuan një “zgjim” të rrufeshëm, duke kapërcyer në 3,000 vendime në nëntor dhe duke prekur pikun me 3,084 vendime në dhjetor.
Ky fluks i përqendruar në fundvit lë shijen e qartë të një strategjie politike: shpërndarje masive tapish për të amortizuar pakënaqësitë popullore, duke lënë pas dore thellësinë dhe saktësinë e verifikimeve në terren.
Mina me sahat, 130,000 vetëdeklarime ende në sirtarë
Edhe pse numri progresiv i legalizimeve ka arritur shifrën historike prej 291,114 objektesh përgjatë harkut kohor 2006–2025 , pasqyra e brendshme e institucionit mban të fshehur një bombë me sahat me impakt të drejtpërdrejtë në tensionet sociale. ASHK e pranon hapur se në sistemin e saj gjenden aktualisht rreth 130,000 vetëdeklarime të patrajtuara.
Sipas Ligjit 20/2020, ky proces i quajtur “kalimtar” ka një afat ligjor të prerë për të përfunduar plotësisht deri më 31 dhjetor 2028. Kur kanë mbetur vetëm dy vite nga ky afat, fati i 130,000 familjeve mbetet i varur në ajër. Janë pikërisht këto shtëpi të palegalizuara që shndërrohen brenda natës në epiqendra protestash sa herë që projektet e infrastrukturës apo “investimet strategjike” trokasin në dyert e tyre, duke i lënë qytetarët pa asnjë letër mbrojtëse përballë fadromave të shtetit.
Kompensimi i pronarëve legjitimë, një farsë
Ndoshta pika më ulëritëse që justifikon dhe ushqen revoltën e shoqatave të pronarëve të vjetër është pabarazia e thellë në procesin e kompensimit financiar. Atje ku zaptuesit marrin tapitë me ritme elektorale, pronarët legjitimë trajtohen me një dorështrëngim të paprecedent.
Përgjatë të gjithë vitit 2025, Këshilli i Ministrave ka miratuar vetëm 2 vendime (VKM) për kompensimin e pronarëve:
VKM Nr. 3 (Datë 14.01.2025): Trajtoi vetëm 420 pasuri për kompensim.
VKM Nr. 546 (Datë 01.10.2025): Trajtoi 515 pasuri të tjera.
Në total, gjatë gjithë vitit u kompensuan vetëm 935 pasuri, mbi të cilat shtriheshin 821 objekte të legalizuara. Përballë 26 mijë legalizimeve të reja brenda një viti, shteti ka arritur të dëmshpërblejë më pak se 1,000 pronarë të vjetër. Kjo zvarritje sistematike lë të lënduar mijëra trashëgimtarë, duke i shtyrë ata drejt përplasjeve ligjore e sociale.
Raporti vjetor i ASHK-së për vitin 2025, nën dritën e zhvillimeve aktuale në Shqipëri, nuk lexohet si një bilanc i thjeshtë administrativ, por si një pasqyrë e qartë e pabarazisë dhe e interesave politike. Sa kohë që shpërndarja e tapive shfrytëzohet si amortizator elektoral me 26 mijë vendime në vit , ndërsa pronarët e ligjshëm kompensohen me pikatore (vetëm 935 pasuri të trajtuara) dhe 130,000 dosje lëngojnë nëpër sirtarë, institucioni i Kadastrës do të mbetet burimi parësor i pasigurisë juridike. /vna








