Ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli në një intervistë në një studio televizive, përballë Ola Brukos ka deklaruar se ai ka marrë pjesë në protestë pasi këto organizime janë kundër estamblishmentit.
Çuli ka deklaruar se protëstat e të rinjve ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama janë uragan pasi njerëzve u ka ardhur në majë të hundës.
“Besoj që ky është një uragan, i cili është pa dallim feje dhe krahine kundër establishmentit, kundër korrupsionit të thellë, uragan për ndryshimin e estamblishmentit, njerëzve iu ka ardhur në majë të hundës”.
Sa i përket qëndrimit të tij pro shembjes së Teatrit Kombëtar në vitin 2020, Çuli sqaroi se ai vijon ende të kërkojë projektin dhe ka bindjen se një teatër i ri i duhet kryeqytetit.
Hervin Çuli deklaroi se ai nuk e ka takuar asnjëherë kryeministrin Rama kur mbante postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.
“Unë vijoj të jem i bindur që teatri duhej, kam mbajtur në shpatulla baltën e prishjes së Teatrit.
Unë nuk e kam takuar kurrë Edi Ramën, kam qenë një nga drejtorët e teatrit më të bezdisur për Ministrinë e Kulturës. Më quanin person të vështirë në komunikim. Mua nuk më hoqën,unë nuk konkurrova më edhe pse më lejohej rikandidimi.
Unë po vijoj të kërkoj projektin interier të Teatrit Kombëtar.
Ky projekt duhet të jetë për të mirën e Shqipërisë, tani është mbushur kupa”, deklaroi ai.







